Nga Bashkim Kastrati

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti duke u marrë me çështje nacionale, siç duket e ka lënë paksa anash Komunën e Prishtinës. Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur parregullsi të shumta në këtë komunë për qeverisjen në vitin 2017.

Në vazhdimësi po i paraqesim vetëm disa nga të gjeturat e auditit. Në raportin për Komunën e Prishtinës thuhet se ekzekutimi i ulët lidhur me investimet kapitale është sfida kryesore me të cilën përballet komuna. Vetëm 57 % e buxhetit të kësaj kategorie është shpenzuar dhe çështja nuk është adresuar nga menaxhmenti në vitet e fundit edhe pse ajo është trajtuar në raportet e mëparshme të auditimit.

“Sipas komunës arsyet për një ekzekutim kaq të ulët të buxhetit lidhen me vonesat në realizimin e projekteve, inicimi dhe lidhja e kontratave me vonesë, dhe si rezultat i planifikimit jo të mirë të shpenzimeve”, thuhet në raport.

Auditi tërheq vërejtjen se ekzekutimi i ulët i investimeve kapitale do të rezultojë me shfrytëzim joefikas të burimeve në dispozicion. Për komunën mos-përmbushja e programit për investime kapitale do të rezultojë në realizimin e më pak projekteve si dhe në cilësinë e shërbimeve.

Në lidhje me këtë çështje i rekomandohet kryetarit Ahmeti se duhet të ndërmarrë një vlerësim sistematik të arsyeve për nivelin e ulët të ekzekutimit të buxhetit tek investimet kapitale në 2017 dhe më herët si dhe të përcaktojë opsionet praktike për përmirësimin e ekzekutimit të tij për vitin 2018. Performanca buxhetore duhet të rishikohet në baza mujore për të identifikuar në vazhdimësi barrierat për realizim të buxhetit në nivel të planifikuar. Aty ku supozimet e buxhetit fillestar janë të pasakta, kjo duhet të reflektohet plotësisht në pozitën e buxhetit final.

Auditi tërheq vërejtjen se shpenzimet për mallra dhe shërbime (për mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbëruara, dezinsektimin e objekteve, naftë për ngrohje e të ngjashme, si dhe pagesa të ekzekutuara nga thesari për shpenzime të ndryshme operative) janë paguar gabimisht nga kategoria e investimeve kapitale. Vlera totale e tyre është 1,823,140 euro, ku prej tyre 1,571,267 euro kishin qenë gjithashtu të buxhetuara gabimisht.

“Shpenzime të tilla kanë ndodhur edhe vitet e mëhershme. Sipas komunës këto janë pasojë e buxhetit të kufizuar për mallra dhe shërbime e të cilat janë të domosdoshme, andaj edhe janë aprovuar me ligjin e buxhetit. Pavarësisht arsyetimeve të prezantuara, sipas standardeve të kontabilitetit të sektorit publik këto konsiderohen shpenzime operative dhe do të duhej të paguhen nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve”, thuhet ndër të tjera në raport.

Planifikim jo i mirë i të hyrave

Komuna ka arritur të realizojë pothuajse të gjitha të hyrat e planifikuara, me devijim vetëm 4%, megjithëse nëse i shohim ato sipas kategorive vërejmë dallime të mëdha. Fjala bie, për legalizimin objekteve ishin paraparë të mblidhen 4,000,000 euro derisa ishin realizuar vetëm 2%, e njëjta kishte ndodhur edhe me të hyrat nga parkingu të cilat ishin realizuar vetëm 16%, kundrejt planit 2 milionësh.

“Planifikimi jo i mirë i të hyrave krahasuar me tendencat paraprake rrezikon ngecjen në realizimin e projekteve të planifikuara nga burimet vetjake dhe mos përmbushjen e objektivave të organizatës. Rekomandimi 4 Kryetari, duhet të sigurojë se bëhet një planifikim objektiv dhe të realizueshëm dhe i njëjti të duhet të përcillet me aktivitete dhe masa adekuate për zbatim”, tërheq vërejtjen auditi.

E gjetura tjetër tregon se si në vitin 2014 komuna kishte bërë verifikimin e të gjitha pronave komunale, në mesin e të cilave edhe ngastrat që janë në pjesën e quajtur “Zona Industriale”. Të paktën 37 parcela të kësaj zone me rreth 6 hektarë, shfrytëzohen nga biznese të ndryshme pa asnjë kompensim ndaj komunës. Sipas Drejtorisë së Pronës në komunë, këtë vit ka filluar të shqyrtojë mundësinë e gjenerimit të të hyrave nga parcelat e kësaj zone.

“Lënia e pronave komunale në shfrytëzim të bizneseve pa marrëveshje/kontratë dëmton të hyrat e komunës dhe rrit rrezikun që shfrytëzuesit të manipulojnë me ato prona”.

Në lidhje me këtë çështje auditi rekomandon se kryetari duhet të rishikojë shkakun e shfrytëzimit të pronave pa kompensime dhe të marrë veprime për të nënshkruar marrëveshje me bizneset/shfrytëzues të pronave për kompensimin e tyre, qoftë përmes qirasë ose formave tjera ligjore.

Nuk arrihet të verifikohet 1/3 e pronave të komunës

Komuna nuk kishte arritur të kryej verifikimin e 1/3 së pronave të paluajtshme siç kërkohet me ligjin për tatimin në pronën e paluajtshme dhe Udhëzimit Administrativ në fuqi. Nga gjithsej 97,408 prona deri më tani komuna ka arrit të verifikojë vetëm rreth 23,521 sosh.

Procesi i verifikimit është krejtësisht i ngjashëm me atë të regjistrimit për veç se nuk rezulton me regjistrim të një pronë të re mirëpo me përmirësimin e shënimeve ekzistuese.

“Mos verifikimi i 1/3 të pronave mund të rezultojë me mangësinë e informatave të plota të pronës së tatueshme aktuale, me ndikimin e mundshëm që të hyrat e vlerësuara për tatimin në pronë të ulen”, është e gjetura e radhës e auditit.

Në lidhje me këtë çështje i rekomandohet se kryetari duhet t’i analizojë arsyet dhe pengesat se pse kërkesat ligjore në këtë fushë nuk janë zbatuar dhe të ndërmarrë veprime shtesë që të sigurojë se në vitin vijues do të bëhet verifikimi i pronave komunale ashtu siç parashihet me ligj.

Mosgjenerimi i të hyrave nga taksat në biznes

Rregullorja për Tarifa, Ngarkesa dhe Gjoba Komunale parasheh ngarkesat vjetore për ushtrimin e disa nga veprimtaritë afariste të cilat operojnë në komunë. Drejtoria e Planifikimit Strategjik, e cila është e ngarkuar me këtë çështje nuk ka informata të sakta për numrin e veprimtarive afariste që janë të obliguara të paguajnë taksën komunale.

“Të hyrat nga kjo taksë mbështeten në deklarimin vullnetar të bizneseve. Bizneseve të obliguara ndaj kësaj takse nuk iu është lëshuar faturë, njëkohësisht nuk figuron të jetë marrë ndonjë masë ndaj atyre që nuk kanë paguar. Në këtë vit nga kjo taksë janë mbledhur 68,180 euro, apo 18% më pak se vitin e kaluar kur ishin mbledhur 83,887 euro”, thekson raporti.

Auditi tërheq vërejtjen se inkasimi i të hyrave bazuar në vullnetin e bizneseve dhe mungesa e të dhënave të sakta, ndikon direkt në uljen e të hyrave totale të komunës dhe në planifikim jo real të hyrave.

Auditi gjatë rishikimit të disa rasteve ku janë bërë harmonizimet në sistem sipas katalogut të vendeve të punës, kemi konstatuar se nuk është respektuar parimi evropian i dalë nga ky katalog: Paga e njëjtë për punën e njëjtë. Tek Qendra për Punë Sociale, është vërejtur se për të gjithë zyrtarët që kishin koeficientin 5.5, Ministria e Administratës Publike (MAP) ka aprovuar koeficientin 6 (grada 10). Mirëpo në një rast, edhe pse zyrtari kishte pozitën e njëjtë sipas koeficientit 5.5, ai është duke u kompensuar me koeficientin 7. Megjithatë, aktemërimi për koeficientin aktual nuk është azhurnuar

Rekrutime të kundërligjshme

Gjatë testimit të Marrëveshjeve për Shërbime të Veçanta (MSHV) në nëntë raste është vërejtur se komuna kishte angazhuar zyrtarët në kryerjen e punëve për periudhën më të gjatë se gjashtë muaj dhe pa procedura përkatëse të rekrutimit. Ky staf ishte angazhuar në pozita të ndryshme si zyrtarë për media, koordinatorë, bashkëpunëtorë, arkitekt, zyrtarë për infrastrukturë, anketues, operatorë, asistent, etj.

“Mbulimi i pozitave me marrëveshje të përkohshme rezulton me performancë dhe monitorim të dobët të stafit dhe rritë pasigurinë nëse në pozitat e tilla është angazhuar stafi adekuat. Mungesa e konkurrencës së mirëfilltë dhe cilësia e shërbimeve të ofruara mund të jetë e nivelit të dobët dhe objektivat e organizatës të mos arrihen”, tërheq vërejtjen auditi.

Dobësitë në planifikim dhe pranim të mallrave

Te pagesat e testuara të naftës për ngrohje, si pasojë e planifikimi jo adekuat, komuna ka bërë tejkalim të sasisë së kontratës. Në kontratën kornizë vlera e parashikuar vjetore për derivate të naftës për ngrohje dhe gjenerator është 30,000 litra. Megjithatë, vetëm në dy mostra kemi vërejtur se sasia e pranuar ishte 111,295 litra. Sipas komunës shkak i kësaj është zgjatja e procedurave të prokurimit për aktivitetin e ri si rezultat i ankesave dhe problemeve tjera procedurale. Po ashtu, përmes kësaj kontrate është bërë pagesa edhe për furnizim me derivate në vlerë 6,930€, pas skadimit të saj.

E gjetura tjetër tregon se Komuna e Prishtinës ka deklaruar obligime ndaj furnitorëve vlerën prej 1,262,935 euro, shumë kjo më e ulët për 26% krahasuar me vitin 2016 (1,696,652 euro). Derisa në lidhje me pretendimet e palëve tjera ndaj komunës, në bazë të kontesteve aktuale gjyqësore, komuna ka listuar gjithsej 46 raste të mundshme me një shumë të vlerësuar prej 6,180,290 euro.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re