Kreu i partisë kryesore opozitare në Australi, Peter Dutton kundërshtoi planin e propozuar nga qeveria për të rikthyer qytetarët e saj nga një kamp paraburgimi në Siri.

Lideri i opozitës mbajti një takim me drejtorin e përgjithshëm të Organizatës Australiane të Inteligjencës së Sigurisë (ASIO), Mike Burgess, pas çka tha se ai besonte se rikthimi i këtyre grave dhe fëmijëve është një rrezik i rëndësishëm.

“Unë nuk do të hyj në detajet e asaj që ai më ka ofruar”, citohet të ketë thënë Dutton për mediat lokale.

“Më duhet të them se tani jam më shumë i mendimit se ka një rrezik shumë domethënës në kthimin e disa prej këtyre njerëzve në vendin tonë, rrezik që sinqerisht nuk mund të zbutet, jo në nivelin e nevojshëm për të mbajtur australianët të sigurt”, tha kreu i opozitës.

Sipas ABC News, rreth 20 gra australiane dhe 40 fëmijët e tyre janë aktualisht në një kamp paraburgimi në Siri, të cilët u zhvendosën atje pas rënies së DEASH-it në vitin 2019.

Qeveria e kryeministrit Anthony Albanese po planifikon t’i kthejë ata në Australi pasi disa zyrtarë vizituan Sirinë për të verifikuar identitetin e atyre grave dhe fëmijëve në fillim të këtij viti.

Shumë prej tyre janë gra, të veja dhe motra të militantëve të DEASH-it ndërsa disa prej tyre u larguan nga Australia kur ishin të mitura.

Sipas raportimit, këto gra dhe fëmijë janë aktualisht të bllokuar në kushtet e mjerueshme të kampit Al-Hawl në veri të Sirisë, pasi anëtarët e familjes së tyre u vranë ose u burgosën pasi luftuan përkrah organizatës terroriste DEASH.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re