Muslimanët në Australi të premten rinisën namazin me xhemat në xhami, hera e parë që nga marsi.
Namazi me xhemat u krye duke respektuar masat e distancës sociale në Xhaminë Meadow Heights në Melburn.
Namazi i fundit i xhumasë u fal më 13 mars në xhami. Namazi me xhemat deri tani nuk u lejua për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) në vend. Meadow Heights është një nga zonat më të populluara të Melburnit.
Namazet faleshin në grupe me 50 persona dhe drejtoheshin nga të paktën pesë hoxhallarë të ndryshëm.
Besatarët mbanin me vete sexhade dhe kryenin lutje duke ruajtur distancën fizike mes tyre.
Kjo ishte hera e parë në historinë e Australisë që xhamitë u mbyllën në mars.
“Është e paprecedentë, nuk është diçka që është dashur të bëhet më parë. Por mendoj se po jetojmë në kohëra që kërkohet kjo domosdoshmërisht”, ka deklaruar për SBS News imami Yahya Adel Ibrahim i Xhamisë Al Rahman në periferinë jugore të Perth.
Ndërkohë, Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, njoftoi të premten se do të lejojë udhëtimet midis të gjitha rajoneve të vendit përveç Australisë perëndimore deri në Krishtlindje.
Ai tha se Kabineti Kombëtar i Australisë gjithashtu kishte “rënë dakord për masat e shëndetit publik për të siguruar që shtetet dhe territoret të mbeten të hapura në vitin 2021”, raportoi ABC News.
Megjithatë, Australia perëndimore do të vazhdojë disa nga masat deri në vitin 2021, ndërsa udhëtarëve nga Uellsi i Ri Jugor dhe Victoria u kërkohet të hynë në karantinë pas mbërritjes.
Australia ka raportuar rreth 27 mijë raste të koronavirusit që nga shpërthimi, duke përfshirë 907 vdekje.
AA