Qeveria australiane vendosi të ndalojë zyrtarët e saj që të përdorin aplikacionin kinez për shpërndarjen e videove TikTok në pajisjet e tyre.

Në një deklaratë, Prokurori i Përgjithshëm Mark Dreyfus tha se ai ka autorizuar lëshimin e një udhëzimi të detyrueshëm për të ndaluar aplikacionin kinez në pajisjet e dhëna nga departamentet dhe agjencitë shtetërore.

“Pas pranimit të këshillave nga agjencitë e inteligjencës dhe sigurisë, sot autorizova sekretarin e Departamentit të Prokurorit të Përgjithshëm për të nxjerrë një udhëzim të detyrueshëm sipas Kornizës së Politikave të Sigurisë Mbrojtëse për të ndaluar aplikacionin TikTok në pajisjet e dhëna nga departamentet dhe agjencitë shtetërore”, tha Dreyfus.

Ai gjithashtu theksoi se udhëzimi do të hyjë në fuqi sa më shpejt të jetë e mundur.

Prokurori i Përgjithshëm tha se përjashtimet do të jepen varësisht prej rastit dhe me zbatimin e masave të duhura të sigurisë.

Australia ishte vendi i fundit në “Five Eyes”, një aleancë e inteligjencës që përfshin Australinë, Kanadanë, Zelandën e Re, Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA-në, që ndaloi zyrtarët e tyre të përdorin aplikacionin kinez në pajisjet e tyre zyrtare.

Zyrtarët e TikTok në Australi e quajtën vendimin “zhgënjyes”.

“Ne jemi jashtëzakonisht të zhgënjyer me këtë vendim. Sipas mendimit tonë, kjo është e nxitur nga politika dhe jo nga fakti”, ABC news citoi të ketë thënë menaxheri i përgjithshëm i TikTok-ut në Australi, Lee Hunter.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re