Policia austriake ka bërë me dije se një grua serbe me dy vajzat e saj janë gjetur të pajeta në një apartament në Vjenë, dhe shkaktar mendohet të jetë uria.

Policia beson se ato humbën jetën në mes të Marsit dhe Prillit.

“Hetimet toksikologjike tregojnë se nuk ka helmime. Një analizë e detajuar do të bëhet në javët në vijim,” thotë zëdhënësi i policisë.

Ai shtoi se të tria jetonin në izolim, dhe asnjë gjurmë ushqimi nuk është gjetur në apartamentin e tyre.

Alarmin e kishte dhënë një mik i familjes, i cili kishte njoftuar policinë për mosprezencën e tyre në tubime të familjes dhe zhdukjen pa gjurmë.

Ndonëse nuk ka asnjë gjurmë dhune në trupat e nënës 45 vjeçare dhe dy vajzave të saj 18 vjeçare, policia ka nisur hetimet për të parë nëse një faktor tjetër mund të jetë shkaktari.

Nëna dhe dy bijat e saj kishin ikur nga shtëpia e tyre tre herë nga babai i dhunshëm, duke kërkuar strehë më të sigurt. Gjithashtu mësohet se vajzat nuk kanë pasur kufizime fizike edhe sa ishin gjallë.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re