Evropa është në gatishmëri nga frika e shpërthimit të një vale të re të pandemisë. Ngushtohet “laku” për të pavaksinuarit. Ja çfarë ndryshon në jetën e tyre të përditshme.

Nga sot (15 nëntor) Austria ka vendosur në izolim miliona persona që nuk janë vaksinuar plotësisht kundër COVID-19, si një përpjekje për të luftuar infektimet që kanë arritur nivele rekorde.

Austria ka një ndër shkallët më të larta të infeksionit brenda kontinentit. Ky shtet është i pari në Evropë që ka vendosur të kthejë në fuqi disa masa kufizuese për lëvizjet e përditshme të njerëzve, masa këto që kishin vlejtur gjatë kohës kur nuk kishte ende vaksinim kundër COVID-19.

Kësaj radhe, këto masa vlejnë vetëm për një pjesë të popullsisë, ata të pavaksinuar plotësisht kundër COVID-19.

“Nuk po e marrim lehtë këtë hap, por është e nevojshme”, tha Kancelari i Austrisë, Aleksandër Schallenberg, duke njoftuar për masat e reja.

Masat parashohin që njerëzit e pavaksinuar munden të dalin nga shtëpitë vetëm për disa arsye të limituara, si për të shkuar në punë apo për të blerë gjërat esenciale.

Rreth 65 për qind të popullsië së Austrisë është e vaksinuar plotësisht kundër COVID-19 dhe kjo është ndër shkallët më të ulëta të vaksinimit në Evropën perëndimore.

Shumë austriakë janë skeptikë lidhur me vaksinat kundër COVID-19, një pikëpamje e inkurajuar nga partia e ekstremit të djathtë, Partia e Lirisë, e treta më e madhja brenda Parlamentit të Austrisë.

Masat që hyjnë në fuqi të hënën janë vazhdimësi e masave që u ndërmorën javën e kaluar që i ndaluan të pavaksinuarve të hyjnë në restaronte, hotele, teatro apo teleferikë.

Ministri i Punëve të Brendshme i Austrisë, Karl Nehammer njoftoi dje se do të ketë kontroll të gjerë nga Policia dhe për shkelje të rregullave do të ketë gjoba deri në 1.450 euro.

“Që nga nesër, secili qytetar, secili person që jeton në Austri duhet të dijë se mund të kontrollohet nga Policia”, tha Nehammer në konferencë për media.

Dëshmia që vërteton se jeni vaksinuar, shëruar nga COVID-19 ose jeni testuar negativ së fundmi është kërkuar prej muajsh në vende të ndryshme, duke përfshirë restorante, teatro, kafene dhe parukeri.

Evropa është epiqendra e pandemisë së COVID-19 sërish, duke bërë që disa qeveri të konsiderojnë vendime për izolime.

Vendimet e qeverisë austriake kanë intensifikuar polemika politike edhe në Gjermani, ku bllokimi i përgjithshëm ende refuzohet nga qeveria, por mbetet një opsion i zbatueshëm për rajone individuale.

Jeta sociale e të pavaksinuarve është reduktuar ndjeshëm në Berlin, pasi  në fazën e parë deri më 28 nëntor ata nuk do të kenë akses në restorante, ngjarje sportive dhe arti, teatro, kinema, muze, palestra, parukeri dhe sallone bukurie, por edhe në kopshtet zoologjike dhe kopshtet botanike të kryeqytetit.

Megjithëse rregulli nuk zbatohet për hotelet, ai do të zbatohet për turistët që duan të përdorin autobusët turistikë dhe varkat turistike.Kufizime të ngjashme për të pavaksinuarit janë vendosur në Saksoni që nga java e kaluar.

Megjithatë në BE ka shumë vende ku fushata e vaksinimit është lënë në hije nga mosbesimi dhe keqinformimi. 

Në Rumani, për shembull, me vetëm rreth 40% të popullsisë të vaksinuar, numri ditor i vdekjeve shkon deri në 500, ndërsa pacientët nuk gjejnë vend për t’u trajtuar, kështu që transportohen në vende të tjera dhe madje mbarojnë me barela. Bukureshti po punon për një paketë, një lëvizje e bërë disa javë më parë nga Letonia, vendi i parë evropian që prezantoi një bllokim një mujor.

Nëse dikush lëviz nga Evropa Lindore në veri, kupton se vendosja e kufizimeve të reja nuk është një çështje e thjeshtë. Holanda ka vendosur një bllokim të pjesshëm tre javor për të gjithë popullsinë. 

Sipas kufizimeve të reja, baret dhe restorantet do të mbyllen në orën 20:00, ndërsa demonstratat publike nuk do të lejohen. Ndeshjet e futbollit do të zhvillohen me dyer të mbyllura, shkollat ​​do të qëndrojnë të hapura dhe daljet jashtë shtëpisë do të lejohen.

Në Francë, nga ana tjetër, pas një fjalimi të presidentit, Emanuel Macron, u vendos që nga fillimi i dhjetorit të  bëhet e detyrueshme doza e tretë e vaksinës për ata mbi 65 vjeç.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re