Austria ka vendosur që t’u japë mundësinë personave që vuajnë nga sëmundje të rënda, që t’i japin fund jetës së tyre në mënyrë të asistuar nga mjekësia. Vendimi për eutanazinë ishte rrëzuar më parë nga një gjykatë, por Austria ka forcuar rregullat strikte për të kryer aktin dhe legjislacioni hyn në fuqi nga janari i vitit të ardhshëm.

Ligjvënësit austriakë kanë miratuar një ligj që legalizon eutanazinë për personat me sëmundje të rënda, por kjo do të bëhet duke iu nënshtruar rregullave të rrepta.

Vetëvrasja e asistuar do të vihet në zbatim nga muaji janar, pasi një vendim gjykate tha se ndalimi i saj shkelte të drejtat themelore të njeriut.

Vendimi i gjykatës skadon këtë fundvit dhe legjislacioni i ri kërkon që eutanazia të bëhet vetëm në përputhje me rregulla strikte.

Eutanazia do të kryhet vetëm nga persona mbi 18 vjeç, të cilët vuajnë nga sëmundje të pashërueshme.

Vlerësimi për personat që duan të kryejnë eutanazinë do të bëhet nga dy mjekë ekspertë, të cilët do të vërejnë nëse pacientët po zgjedhin eutanazinë në mënyrë të pavarur apo jo.

Duhet të kalojnë të paktën 12 javë përpara se pacienti të kryejë procedurën, kjo pasi vendimi mund të merret si pasojë e një krize të përkohshme.

Megjithatë, për pacientët në fazë kritike, periudha mund të shkurtohet në dy javë.

Individi që vendos t’i japë fund jetës duhet të hartojë një testament noterial me një avokat, përpara se të marrë ilaçet vdekjeprurëse.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re