Zhvillohet konkursi ndërkombëtar për ndërtimin e të parit park të automobilizmit.

 

Ai do të ndërtohet në Krastë të Elbasanit dhe do të jetë i pari në llojin e tij sipas standardeve të dy federatave ndërkombëtare asaj të automobilizmit dhe motoçiklizmit.

 

Ndërtimi i “Auto Moto Park Albania” tha kryeministri Edi Rama do të sjellë vende të reja pune.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

Faleminderit në radhë të parë kompanive që marrin pjesë në këtë event historik për automotorizmin shqiptar por edhe për Shqipërinë sepse, falë ideve të tyre dhe projekteve të tyre, ne do të përzgjedhim edhe projektin më të mirë apo atë që ne do na duket më i miri për t’i hapur rrugë një epoke të re, një epokë të re për Elbasanin dhe Shqipërinë, për ta vendosur Shqipërinë në një tjetër hartë ku ajo mungon plotësisht dhe për t’i hapur Shqipërisë një tjetër derë prej ku një tjetër kategori vizitorësh do të mund të hyjnë për të fuqizuar më tutje ekonominë tonë, për të fuqizuar më tutje imazhin tonë.

Ky projekt i hap rrugë edhe një tjetër fronti të punësimit cilësor të të rinjve, jo thjesht vende pune, por vende pune të mirë paguara, teknologji e lartë padiskutim dhe mundësira të reja dhe horizonte të reja për gjeneratën e re.

 

Edi Rama beson se nuk do të jetë largët që në Shqipëri të zhvillohen edhe gara të Formula 1.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

Ky projekt nuk është një kërkesë në përshkrimin e punës së drejtorit të kësaj drejtorie të përgjithshme apo të skuadrës së drejtorisë së përgjithshme. Ky projekt është frut i këtij frymëzimi për të cilin fola dhe jam i bindur që, duke bashkuar të gjitha forcat, ne do ta realizojmë dhe po ashtu jam i bindur që, sic shumë gjëra deri dje në dukje të pamundura, tani janë në rrugën që po bëhen të mundura, edhe ajo çka do të dukej e pamundur deri më sot që në Shqipëri të kishim edhe një garë të Formula 1, e ardhmja do të tregojë se edhe kjo është e mundur.

 

 

Në “Auto Moto Park Albania” do të zhvillohen gara me makina njëvendëshe të formula 2,3, 4 dhe E, apo gara nga niveli kombëtar në atë ndërkombëtar të motoçiklizmit, në disiplina të ndryshme si brenda dhe jashtë rruge.

 

Përveç garave, pjesë e këtij kompleksi sportiv do të jetë edhe muzeu “Retro”, qendra kursesh për drejtimin e mjeteve dhe programe të posaçme për trajnimin e forcave shtetërore si emergjencat civile, të rendit, ndërhyrjes së shpejtë dhe të ushtrisë.

 

Ndërtimi i parkut do të financohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor, Bashkia e Elbasanit dhe qeveria shqiptare.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re