Autoriteti i Konkurrencës ka mbyllur pa sanksione hetimin në tregun e ngarkim-shkarkimit, importit, depozitimit, shitjes me shumicë të Gazit të Lëngshëm të Naftës (GLN).
Në përfundim të hetimit të thelluar, nuk janë konstatuar shenja të kufizimit të konkurrencës nga ana e ndërmarrjeve nën hetim, megjithatë AK është shprehur se kompanitë PIA SHA, Romano Port SHA dhe Porti MBM kanë detyrim të veçantë për të mos abuzuar me pozitën dominuese që zotërojnë.
Detyrimet e vendosura janë ato të përcaktuara në nenin 9 të ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës, që përcakton sjelljet të cilat përbëjnë abuzim me pozitën dominuese. Ndërmarrjet në fjalë nuk duhet të vendosin, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmime të padrejta të blerjes ose shitjes apo kushte të tjera të padrejta të tregtimit; nuk duhet të aplikojnë kushte të pabarabarta për veprime tregtare të njëjta me palët, duke mos i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurrence; nuk duhet të vendosin kushte për lidhjen e kontratave me palët e tjera, që këto të fundit të pranojnë detyrime shtesë, të cilat, për vetë natyrën e tyre ose sipas praktikave tregtare, nuk kanë lidhje me objektin e kontratave në fjalë.
Aktualisht, në Shqipëri veprojnë ekzistojnë dy porte ku importohen, shkarkohen dhe depozitohen karburantet dhe gazi i lëngshëm, ai i Vlorës (Vlora-1) dhe i Porto Romanos. Ndërmarrjes Petrolifera Italo-Albanese (PIA), i është dhënë me koncesion ndërtimi dhe shfrytëzimi i terminalit bregdetar në gjirin e Vlorës, për depozitimin e naftës dhe të nënprodukteve të saj, në portin Vlora-1, si dhe ndërtimin dhe shfrytëzimin e infrastrukturës portuale të nevojshme në shërbim të terminalit bregdetar. Në portin tjetër të importit të karburanteve në vend, atë të Porto Romanos, operojnë dy ndërmarrje, Romano Port SHA dhe Porti MBM. Romano Port ka monopol në përpunimin e cisternave me kapacitet deri në 20 mijë tonë, ndërsa Porti MBM për anijet me kapacitet më të mëdha se 20 mijë tonë.
Përveç monopolit të secilës prej ndërmarrjeve në tregun përkatës, një tipar tjetër i këtij tregu që shton rreziqet e abuzimit me pozitën dominuese është integrimi vertikal i ndërmarrjeve në portin e Porto Romanos. Kjo do të thotë se aksionerët e porteve janë njëkohësisht të pranishëm edhe në hallkat e tjera të importit dhe tregtimit me shumicë dhe pakicë të GLN.
Ndërmarrjet e integruara vertikalisht me koncensionarët përkatësisht Tenet SHA (me Portim MBM) dhe AV International Group (me Romano Port) realizojnë pjesën më të madhe të importit të GLN, me gati 50% të totalit dhe ky tregu gjatë periudhës hetimore (korrik 2017-shtator 2020) paraqitet me tregues shumë të lartë përqendrimi. Megjithatë, nga analiza e çmimeve të shitjes me shumicë të ndërmarrjeve nën hetim, nuk janë konstatuar çmime të përafërta apo të njëjta. Si rrjedhojë, Autoriteti i Konkurrencës ka arritur në përfundimin se nuk ka prova të një sjelljeje të bashkërenduar. Gjithashtu, nga analizat financiare nuk ka rezultuar që ndërmarrjet në fjalë të kenë aplikuar ngjeshje të çmimeve (margin squeeze), me qëllim transferimin e fitimeve tek ndërmarrjet e tjera të integruara vertikalisht./Monitor/