Teksa policia po raporton shifrat përmbledhëse të gjobave të vendosura për mosrespektim të kufizimeve të vendosura nga Covid-19, disa të rinj udhëtuan me shpejtësi skëterrë për të mos e marrë gjobën me vlerë 10 mijë lekë. Por pas një ndjekjeje disaminutëshe, të rinjtë u kapën në afërsi të një pike karburanti në Vorë, ndërkohë që veç faturës që policia iu la atyre në dorë, do të merren nën përgjegjësi edhe për mosbindje të policisë. Pikërisht për këtë rrezikojnë një dënim deri në 7 vjet heqje lirie.

Siç thotë për Gazetën “Si” një agjent i policisë së Vorës, ndjekja këmba-këmbës dhe me sirena ndodhi menjëherë sapo një automjet në fshatin Ahmetaj, nuk i ndaloi postbllokut të policisë. Një oficer policie i bëri me shenjë automjetit që të ulte shpejtësinë dhe të hapte krahun rreth orës 18.20 minuta, tregon jozyrtarisht për Gazetën “Si” efektivi që ishte pjesëmarrës në postbllok.

Por mjeti ka rritur akoma më tej shpejtësinë. Kaq ka mjaftuar që policët të njoftojnë përforcime në radio dhe të vihen pas mercedesit, nën dyshimet se në këtë mjet mund të kishte persona të dyshimtë. Policët raportojnë për ndjekjen e pazakontë që në përfundim zbuloi se nuk kishte ndonjë person me precedentë të rrezikshëm, por katër 20-vjeçarë që u arratisën nga policia për shkak të frikës.

Konkretisht, efektivi Sh. B tregon: Organizuam pikë kontrolli me të gjithë elementët si tabela ‘ndal policia’, por edhe konët fosforishent dhe ato piramidë. Filluam të ndalonim vetëm automjetet e dyshimtë. Një mjeti që dukej me ngjyrë të zezë në largësi i dhashë shenjë të ndalonte për verifikim.

Kjo makinë për shkak se para kishte një tjetër automjet që po kontrollohej, shtoi shpejtësinë, duke rrezikuar jetën e kolegëve dhe sidomos timen që isha në rrugë. Në këto kushte, policia e komisariatit Vorë dhe shqiponjat e ndoqën automjetin, por në një moment makina i humbi nga sytë autopatrullës.

Në dëshminë e policëve kuptohet se automjeti i dyshimtë u zhduk gjatë kësaj ndjekjeje, pa lënë asnjë shenjë dhe ndaj efektivët fillojnë të kontrollojnë zonën dhe një pjesë tjetër kthehen në postbllok. Efektivi tjetër shton:

“Gjatë kontrolleve të zonës që mund të ketë zgjatur nga arratisja 15 minuta konstatuam mjetin të fikur mbas një godine dhe katër persona që po largoheshin në këmbë, njëri prej të cilëve tentoi të largohej me vrap”.

Kur policia i kapi të rinjtë dhe konstatoi se njëri prej tyre kishte edhe çelësin e makinës së dyshimtë i kontrolloi dhe i shoqëroi në komisariat, shpjegon për Gazetën “Si” një burim. Të bindur se kishin kapur ndonjë “peshk” të rëndësishëm, policët kanë mbetur pa fjalë kur kanë identifikuar të rinjtë, por akoma më tepër kur secili prej tyre foli dhe tregoi se kishin frikë nga policia dhe nga gjoba.

Drejtuesi i mjetit me inicialet G. K, 21 vjeç rrëfehet në procesverbalin që më pas u firmos prej tij dhe policisë: “Mjeti është nën pronësi të E. A. por po e përdorja unë, gjendesha nën shoqërinë e R. C. kur para na doli postblloku. Në kohën kur polici na bëri në shenjë të ndalonim unë u tremba dhe nga frika mos më bllokonin makinën, pasi kisha dalë pa leje, se mos më vendosnin gjobë u largova me shpejtësi në drejtim të Vorës”.

Frikë ka demonstruar edhe shoku i tij E. C., i cili u gjet i fshehur afër një vazoje me lule. ‘Kërkoj ndjesë tha pasagjeri”, i cili pavarësisht pendesës së bashku me shokët e tjerë, nuk i shpëtoi gjobës dhe së shpejti edhe ndjekjes penale për mos bindje të policisë. Të njëjtin përshkrim bëjnë edhe E. N dhe A. K, të cilët treguan se po bënin shëtitje sa për të kaluar kohën, pasi ishim agjërueshëm dhe po prisnin oraret e iftarit./Gazeta Si

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re