Ministrat e Mbrojtjes të Maqedonisë së Veriut dhe Italisë, Slavjanka Petrovska dhe Guido Crosetto, nënshkruan në Shkup një marrëveshje teknike për përfshirjen e aviacionit luftarak italian në misionin e patrullimit ajror të Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) mbi qiellin e Maqedonisë.

“Që nga sot, Republika e Italisë i bashkohet zyrtarisht misionit të patrullimit ajror të NATO-s në qiellin e Maqedonisë me forcat e saj ajrore. Avionët ushtarakë italianë dhe grekë, në koordinim me aviacionin ushtarak maqedonas, garantojnë qiejt mbi Maqedoninë e Veriut”, tha Petrovska pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje në Qendrën për trajnimin e pilotëve në kazermën “Petrovac” në aeroportin e Shkupit.

Me fillimin e misionit të policisë ajrore të NATO-s në dhjetor 2021, qiejt e Maqedonisë së Veriut u bënë zyrtarisht pjesë e sistemit kolektiv të patrullimit ajror të Aleancës.

Lidershipi në Spanjë

Deri më tani, patrullimi ajror i ishte besuar aviacionit të Greqisë dhe tash e tutje do ta kryejnë avionët e forcave ajrore greke dhe italiane në koordinim me aviacionin ushtarak të Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut.

Misioni i patrullimit ajror në qiellin e Maqedonisë së Veriut menaxhohet nga Komanda Ajrore Aleate e NATO-s dhe kontrolli taktik i misionit është nën komandën e Qendrës së Kombinuar të Operacioneve Ajrore në Torrejon, Spanjë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re