Avionët luftarakë izraelitë goditën një zonë në Rripin e Gazës sot herët, të lidhur me Brigadat Ezzedine al-Qassam, krahu ushtarak i organizatës palestineze Hamas.

Disa sulme nga avionët luftarakë izraelitë shënjestruan një zonë në perëndim të qytetit Khan Yunis në jug të Rripit të Gazës, sipas korrespondentit të AA.

Ministria palestineze e Shëndetësisë nuk raporton për viktima apo të lënduar.

Brigadat Ezzedine al-Qassam thanë se janë kundërpërgjigjur me raketa tokë-ajër.

“Mbrojtja jonë ajrore iu përgjigj avionëve luftarakë sionistë në qiellin e Rripit të Gazës me raketa tokë-ajër të martën në mëngjes”, thuhet në deklaratë.

Më herët, Forcat e Mbrojtjes izraelite (IDF) njoftuan në Twitter se një raketë e lëshuar nga Gaza u interceptua nga sistemi i mbrojtjes ajrore izraelite Iron Dome.

Ata thanë se sulmet u kryen në përgjigje të sulmeve nga Gaza në Izrael, duke shtuar: “Ne sapo shënjestruam një vend të prodhimit të armëve të Hamasit në Gaza”.

Masa vjen pasi kryeministri izraelit, Naftali Bennett, tha se Hamasi ishte përgjegjës për rritjen e tensioneve në Izrael dhe Palestinë.

Tensionet janë rritur në territoret palestineze që nga fillimi i prillit, mes fushatave të përsëritura të arrestimeve izraelite në Bregun Perëndimor.

Të premten, dhjetëra palestinezë u plagosën në përleshjet me forcat izraelite në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar.

Xhamia Al-Aksa është vendi i tretë më i shenjtë në botë për muslimanët. Hebrenjtë e quajnë këtë zonë Mali i Tempullit, duke pretenduar se aty ishte vendi i dy tempujve hebrenj në kohët e lashta.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor gjatë luftës arabo-izraelite të vitit 1967. Më pas aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980, lëvizje kjo që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re