Skip to content

Avionët luftarakë izraelitë sulmuan dy pika të Hamasit në Gaza

Avionët luftarakë izraelitë kryen sulme ajrore ndaj dy zonave që i përkasin Brigadave Izz ad-Din Al-Qassam, krahut të armatosur të Lëvizjes Hamas në Rripin e Gazës.

Në një deklaratë nga ushtria izraelite thuhet se në përgjigje të sulmit me raketa të kryer më parë ndaj qytetit Sedirot nga Gaza, u vendosën në objektiv një ndërtesë nëntokësore e Hamasit në të cilën kryhej prodhimi i motorëve të raketave.

Në sulm u godit tuneli që lidh pozicionin ushtarak në nëntokë dhe një godinë qendrore, thuhet në deklaratën në të cilën shtohet se në ndërtesën qendrore ndodheshin lëndët e para kimike që përdoren në prodhimin e motorëve raketor.

Në deklaratën e saj ushtria izraelite vuri në dukje se ky sulm i ka dhënë një goditje të theksuar prodhimit të predhave të raketave në Rripin e Gazës.

Sipas informimit të gazetarit të AA-së në Gaza, avionët luftarakë izraelitë vendosën në objektiv pikat në lagjen Ubayda në jug dhe në lagjen Isa al-Batran në pjesën qendrore të Gazës.

Nga Ministria palestineze e Shëndetësisë apo autoritetet përkatëse nuk është bërë ende ndonjë deklaratë në lidhje me humbjet apo plagosjet që mund të jenë shkaktuar nga sulmi.

Në deklaratën nga ushtria izraelite u theksua se në jug të vendit kanë rënë sirenat për herë të dytë dhe se sistemi i mbrojtjes ajrore “Kubeja e Hekurt” ka neutralizuar 4 raketa të lëshuara nga Gaza.
Burimi: AA