Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi është shprehur se avokatët e Arben Ahmetajt nuk kanë arsye pse të kërkojnë shtyrjen e mbledhjes së Këshillit të Mandateve.

Deputeti demokrat theksoi se mbledhja është e vonuar dhe s’ka arsye për të humbur kohë.

“S’ka asnjë arsye për të shtyrë mbledhjen, përveç përgatitjes për të mundësuar largimin e Ahmetajt jashtë vendit apo për ti dhënë më shumë kohë për të pastruar provat”, deklaroi ai.

Ndërsa shtoi se kjo do të ishte e papranueshme dhe sipas tij do ta bënte Kuvendin bashkëpunëtor në arratisjen e Ahmetajt.

“Mbledhja është e vonuar dhe nuk ka arsye për të humbur kohë. Këshilli i Mandateve nuk është gjykatë ku avokatët të përballen dhe të bëjnë një analizë të gjerë. Koha e dhënë 24 orë është e mjaftueshme për elementët që Këshilli duhet të marrë në konsideratë.

S’ka asnjë arsye për të shtyrë mbledhjen, përveç përgatitjes për të mundësuar largimin e Ahmetajt jashtë vendit apo për ti dhënë më shumë kohë për të pastruar provat. Kjo do të ishte e papranueshme dhe do ta bënte Kuvendin bashkëpunëtor në arratisjen e Ahmetajt. Parlamenti ka vetëm një rol, të lejojë prokurorinë të bëjë detyrën e saj.

Ndoshta ka menduar se mund të jetë i paprekshëm nga hetimet e SPAK. Ai mund të jetë arratisur edhe në këto momente që flasim, mund të mos jetë në territorin e Shqipërisë.

E vlerësoj punën e Prokurorëve por hetimi është i paplotë sa kohë që zyrtarë të tjerë lëvizin të lirë në zyrat e shtetit.

Veprimi i fundit hetimor i Prokurorisë ka qenë data 7 korrik, në përfundim të hetimit ka marrë vendimin për ti kërkuar kuvendit arrestimin e Ahmetaj.

Ai dhe zyrtarë të tjerë duhet të ishin në burg shumë kohë më parë”, tha ai në News24.

Gazment Bardhi theksoi se do bëjnë çdo gjë që mbledhja të mbahet me dyer të hapura, pasi “qytetarët duhet të dinë se kush janë zyrtarët e tjerë që kanë abuzuar”.

“Do bëjmë çdo gjë që mbledhja të mbahet me dyer të hapura, që qytetarët të dinë se kush janë zyrtarë të tjerë të përfshirë. Koka e aferës së inceneratorëve është Rama. qytetarët duhet të dinë se kush janë zyrtarët e tjerë që kanë abuzuar. Duhet inkurajuar SPAK që ti shkojë deri në fund kësaj afere”, tha ai.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re