TIRANË- Avokati i Izet Haxhisë, një prej njerëzve më të përfolur në media, i akuzuar për vrasjen e Azem Hajdarit ka qenë sot pranë klientit të tij në burgun 302 në kryeqytet ku ka zhvilluar një takim pas ekstradimit të tij nga Turqia.

Avokati Fran Dashi theksoi edhe një herë se do kërkojnë rihapjen e çështjes nisur nga fakti që Izet Haxhia është gjykuar në mungesë. Ai tha se klienti i tij ka shëndet të plotë, është akomoduar normalisht duke mohuar mundësinë e një rreziku.

“Ju siguroj që shëndeti i tij është i plotë. Ne jemi për të studiuar aktet e para. Pretendimi jonë është për të rihapur dosjen nga e para, pasi gjykimi i shtetasit Izet Haxhia është bërë në mungesë. Kjo do të thotë se edhe Gjykata e Tiranës e ka deklaruar largimin e të pandehurit dhe e ka gjykuar në mungesë. Ai nuk më shfaqi ndonjë problem. Institucionet kanë marrë të gjitha masat.Është i akomoduar. Nuk ka pse të ketë rrezik për jetën sepse është në Shqipëri. Ne i kemi filluar hapat, në ditët në vijim do i mësoni detajet”, tha avokati.

Ai përsëriti se ‘në kohën e duhur, momentin e duhur do flasim’. “Të gjitha gazetarët, duhet të bëjmë një pakt, unë jam përfaqësues ligjor, nuk përzihem me çështje politike. Jemi drejt përfundimit të kërkesës për rihapjen e çështjes. Është gjykuar në mungesë dhe çështja do rihapet. Është i akomoduar pranë burgut 302”, u shpreh avokati Dashi. Izet Haxhia u ekstradua një ditë më parë nga Turqia pasi i ishte dorëzuar autoriteteve turke.

(m.k/BalkanWeb)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re