Në një intervistë për FaxNews, avokati Gylsen Zhllima ka komentuar vendimin e Gjykatës së Posaçme për të liruar Jamarbër Malltezin nga masa e sigurisë “arrest me burg”, duke theksuar se kjo masë ka qenë që në fillim e pajustifikuar dhe e vendosur për arsye politike e për të kënaqur opinionin publik.
“Për lirimin e Malltezit u desh një garanci pasurore prej 30.000 euro. Masa e arrestit ishte vendosur për të krijuar një perceptim të rremë se drejtësia po godet politikanët, për të rritur imazhin e funksionalitetit të SPAK,” – deklaroi Zhllima.
Sipas tij, kjo masë duhet të ishte zëvendësuar që në fillim me një detyrim paraqitjeje, pasi nuk kishte rrezikshmëri apo nevojë për burgosje.
“Avokati i tij, jam i bindur, e ka kërkuar që në fillim një garanci pasurore. Masa e arrestit nuk kishte asnjë bazë reale. Kjo lloj drejtësie po zbatohet për të kënaqur disa individë dhe për të prodhuar perceptime politike.”
Zhllima krahasoi me raste të tjera të ngjashme, duke përmendur edhe ish-presidentin Ilir Meta.
“Meta ndodhet në burg për korrupsion pasiv, ndërsa dhëndri i një ish-kryeministri, i cili akuzohet për korrupsion aktiv, lirohet. Kjo është e papranueshme dhe tregon standarde të dyfishta,” – u shpreh ai.
Ai shtoi se me këtë mënyrë funksionimi të drejtësisë, Shqipëria nuk mund të avancojë drejt Bashkimit Evropian.
“Vetëm me këtë logjikë, që dikush duhet të ndëshkohet vetëm se është dhëndri i Berishës, nuk shkojmë në BE, por në Bashkimin Sovjetik,” – tha Zhllima me tone të forta kritike.
Avokati akuzoi më tej SPAK-un se po funksionon si një instrument politik në shërbim të mazhorancës aktuale, duke e ndihmuar Edi Ramën për të fituar mandatin e katërt.
“Arrestimet e bujshme dhe ndjekjet penale ndaj familjarëve të atyre që kanë qenë në pushtet më parë, janë të qëllimshme. SPAK nuk po ndëshkon për shpërdorim detyre, por po targeton familjarë.”
Sipas Zhllimës, kjo mënyrë veprimi e deformon funksionin e drejtësisë dhe e kthen atë në një mjet presioni dhe hakmarrjeje politike.
