
Avokati Ili Gërdupi, i ftuar në emisionin “Opinion”, komentoi vendimin e gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si dhe lëvizjen e qeverisë për ta çuar këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese.
LEXO EDHE: Pezullimi i Ballukut/ Gjykata Kushtetuese vendos sot mbi ankimimin e qeverisë
Gërdupi u shpreh se, sipas tij, GJKKO ka tejkaluar kompetencat ligjore, pasi Kodi i Procedurës Penale ndalon vendosjen e masave ndaj personave të zgjedhur, ku përfshihet edhe statusi i deputetes që mban githashtu Balluku.
Ai theksoi se ligji nuk bën dallim mes funksionit të deputetit dhe çdo funksioni tjetër që ai mban paralelisht, ndaj masa ndaluese, sipas tij, nuk duhet të ishte dhënë.
Gërdupi: Në gjykimin tim, GJKKO e ka tejkaluar kompetencën e saj në momentin që ka marrë një masë ndaluese ndaj një anëtari të kabinetit që është njëkohësisht edhe deputet, pasi Kodi i Procedurave Penale thotë se ndaj personave të zgjedhur nuk mund të jepen masa. Zonja Balluku, krahas të qenurit anëtare e kabinetit, është gjithashtu edhe një person i zgjedhur për shkak të statusit të saj si deputete.
