Avokati i biznesmenit, Ylli Ndroqi ka deklaruar sot se do të ankimojë vendimin e  Gjykatës dhe SPAK për vendosjen e sekuestros së 26 pasurive dhe shoqërive në pronësi të sipërmarrësit

Avokati Albana Qafa ka deklaruar sot se vendimi i Gjykatës Kundër Krimit të Organizuar është shoqëruar me një sërë parregullsisë ligjore të cilat do të jenë në objektin e ankimimit.

Pala mbrojtëse e sipërmarrësit ka ngritur hije dyshimi për mënyrën se si u zhvilluan hetimet në adrese të biznesmenit.

Avokati i Ylli Ndroqit tha sot se Policia deklaroi se hetimi ndaj biznesmenit po zhvillohej që prej 18 muajsh, ndërkohë që ai u shpreh se Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) është krijuar vetëm 8 muajt e fundit.

Gjithashtu avokati i Ylli Ndroqit ka deklaruar para gazetarëve se pasuritë e tij janë të trashëguara ose të blera me kredi, përfshirë këtu edhe televizionin Ora.

“Ju bëjmë ne dije se do bëjmë ankimim ndaj vendimit në SPAK. Vendimi ka një sërë parregullsisë ligjore dhe proceduriale, nga nxitimi për të mbyllur këtë akuzë. Është vendosur sekuestro me mbi 26 pasuri.

Po si është e mundur që për 7 ditë nga procedimi penal, u gjetën indicie për sekuestrimin e pasurive. Policia deklaroi se hetimi ka zgjatur 18 muaj, ndërkohë që para 8 muajsh prokurorët e SPAK janë betuar para Presidentit të Republikës. 

Si mund të zhvillojë SPAK një hetim kur nuk ka ekzistuar? Këto hetime të kryere nga policia pa dijeni prokurori, janë hetime të paligjshme dhe ngre dyshime për mundësinë e keqpërdorimit të Policisë së Shtetit nga ana e Qeverisë.

Një pjesë e pasurive të vënë nën sekuestro nuk janë të gjitha nën pronësi të z.Ylli Ndroqi. Që në vitin 1993 është regjistruar tek Tatimet si person fizik, më pas në 1996, është regjistruar tek Tatimet si person juridik. Ka kryer një aktivitet tregtar që ka nisur që në vitin 1991.

Jeni dëshmitarë të qëllimit të nxitimit të këtij hetimi nga SPAK, nxitime me prapavijë politike që i kanë kushtuar jo pak qytetarëve shqiptarë. Prezenca e forcave të RENEAS kur u ekzekutua vendimi i gjykatës, bëhet me qëllimin për të ndalur zërin e mediave që ka në pronësi z.Ylli Ndroqi.

Të gjitha aktivitet janë me kredi dhe këto godina, godinat e “Ora News”, janë financuara 100% rikonstruksioni i tyre nga bankat me kredi. 

Po ashtu janë me vendim gjykata tre automjete, të sekuestruara, por të tre nuk ekzistojnë, nuk e  di ku i ka gjetur SPAK, edhe një apartament në Durrës nuk ekziston, nuk e di ku e kanë gjetur.”, tha sot Avokati i Ylli Ndroqit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re