Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka kujtuar sot vrasjen e liderit të Lëvizjes Studentore, Azem Hajdari. Me anë të një postimi në Facebook, Basha thotë se ai u vra pabesisht, ndërsa thekson se u bë simbol i vullnetit të shqiptarëve në përballjen me regjimin komunist.

Basha shkruan me tej se ‘angazhimi politik për Azem Hajdarin ishte një instrument për ti shërbyer njerëzve dhe jo vetes, për të përmirësuar dhe ndryshuar jetët e shqiptarëve të etur për ndryshim dhe jo për të ringritur sarajet e reja të luksit dhe pushtetit personal mbi muret e vjetra të arrogancës, korrupsionit dhe hipokrizisë së regjimit komunist’.

Basha thekson se kontributi i tij në altarin e lirisë dhe demokracisë do të nderohet përherë.

“25 vite më parë u vra pabesisht Azem Hajdari, lideri i Lëvizjes Studentore që me veprën e tij të pavdekshme u bë simboli i vullnetit të shqiptarëve në përballjen me regjimin komunist dhe ngadhnjimin e lirisë mbi diktaturën.

Kurajo, antikonformizimi dhe vendosmëria përkundër fuqive në dukje më të mëdha janë testamenti politik i jetës politike të shkurtër por të pashoq të Azem Hajdarit. Angazhimi politik për Azem Hajdarin ishte një instrument për ti shërbyer njerëzve dhe jo vetes, për të përmirësuar dhe ndryshuar jetët e shqiptarëve të etur për ndryshim dhe jo për të ringritur sarajet e reja të luksit dhe pushtetit personal mbi muret e vjetra të arrogancës, korrupsionit dhe hipokrizisë së regjimit komunist.

Kontributi i tij në altarin e lirisë dhe demokracisë do të nderohet përherë, si dëshmia më domethënëse e forcës  së një populli të shtypur dhe nëpërkëmbur për të sfiduar frikën dhe apatinë, për të triumfuar mbi të keqen dhe për të ndërtuar përmes lirisë një të ardhme të denjë për çdo shqiptar. I paharruar kujtimi i tij!”, shkruan Basha.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re