Ushtria Azerbajxhanase ka çliruar 13 fshatra të tjerë në rrethin Jabrayil nga pushtimi armen, njoftoi të hënën presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.
“Fshatrat Soltanli, Emirvarli, Mashanli, Hasanli, Alikeykhanli, Gumlag, Hajili, Goyerchinveysalli, Niyazguzlar, Kechel Memmedli, Shahvelli, Haji Ismayilli dhe Isagli në rrethin Jabrayil janë çliruar. Karabaku është Azerbajxhan!”, shkroi Presidenti i Azerbajxhanit Aliyev në Twitter.
“Këto veprime të urryera kanë shkaktuar të vdekur dhe të plagosur. Ushtria e Azerbajxhanit u hakmor me të drejtë dhe çliroi disa vendbanime”, shtoi Aliyev.
Ai tha se forcat e armatosura të Armenisë kanë shkelur haptazi armëpushimin humanitar të dakorduar dhe që nga ora 00:02 e 18 tetorit, po përdorin artileri të rëndë duke sulmuar zonat e banuara të Azerbajxhanit dhe pozicionet luftarake.
Armëpushimi, i dyti që nga fillimi i luftimeve rreth Malësisë së Karabakut, u njoftua të shtunën dhe hyri në fuqi pikërisht në mesnatë (ora 20:00 sipas kohës të Evropës Qendrore).
Marrëveshja e armëpushimit midis Azerbajxhanit dhe Armenisë u arrit pasi armëpushimi humanitar i mëparshëm më 10 tetor, që kishte për qëllim lejimin e shkëmbimit të të burgosurve dhe të vrarëve, u shkel disa orë më vonë nga sulmet e raketave armene në qytetin e Azerbajxhanit Ganja, në të cilat u vranë 10 persona dhe 35 të tjerë u plagosën.
Konflikti në Malësinë e Karabakut
Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991 kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, territor i njohur ndërkombëtarisht i Azerbajxhanit.
Rreth 20 për qind e territorit të Azerbajxhanit ka mbetur nën okupimin ilegal të Armenisë për rreth tre dekada.
Grupi i Minskut i OSBE-së, i bashkëkryesuar nga Franca, Rusia dhe SHBA, u formua në vitin 1992 për të gjetur një zgjidhje paqësore të konfliktit, por pa rezultat. Një armëpushim u dakordua në vitin 1994.
Disa rezoluta të OKB-së dhe shumë organizata ndërkombëtare kërkojnë tërheqjen e forcave pushtuese nga tokat e Azerbajxhanit.
Fuqitë botërore duke përfshirë Rusinë, Francën dhe SHBA-të kanë bërë thirrje për një armëpushim të ri. Ndërkohë, Turqia ka mbështetur të drejtën e Azerbajxhanit për vetëmbrojtje duke kërkuar tërheqjen e forcave pushtuese të Armenisë.
AA
