Duke kritikuar një rezolutë të re franceze mbi atë që Parisi e quan “agresion” kundër Armenisë, Azerbajxhani këtë veprim e quajti “një tjetër provokim nga Franca kundër Azerbajxhanit”.

“Rezoluta e rreme dhe shpifëse kundër Azerbajxhanit e miratuar në dhomën e ulët (Asambleja Kombëtare) të Parlamentit Francez më 30 nëntor 2022 është një tjetër provokim i Francës kundër Azerbajxhanit, e ngjashme me rezolutën e fundit të miratuar në Senat”, tha Ministria e Punëve të Jashtme e Azerbajxhanit.

Ministria theksoi se rezoluta “synon të minojë procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Azerbajxhanit dhe Armenisë, si dhe përpjekjet për të vendosur paqen dhe stabilitetin në rajon”.

“Kjo rezolutë, në kundërshtim me normat dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare, edhe një herë tregon qartë pozicionin e njëanshëm politik të Francës dhe paaftësinë e saj për të vepruar si një ndërmjetës i paanshëm dhe i drejtë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Duke refuzuar rezolutat në të dy dhomat franceze, Azerbajxhani akuzoi Parisin për “qëllime të njëanshme”, duke e kritikuar atë se në vend të kësaj nuk punon për të zgjidhur konfliktin.

Ambasadorja e Azerbajxhanit në Francë, Leyla Abdullayeva, në rrjetet sociale tha se “Armenia e pushtoi territorin e Azerbajxhanit për 30 vjet”, duke iu referuar pushtimit prej dekadash të Karabakut nga Armenia, rajon të cilin kryesisht forcat e Azerbajxhanit e rimorën në konfliktin e vjeshtës së vitit 2020.

“Ajo ka kryer krime lufte dhe ka shkatërruar rajonin duke shkelur të drejtat themelore të afër 1 milion azerbajxhanasve. Ju, nga ana tjetër, qëndroni të heshtur dhe tani po pengoni paqen duke folur”, shkroi ambasadorja Abdullayeva.

Më 16 nëntor, Azerbajxhani hodhi poshtë një rezolutë të Senatit të Francës që kërkonte sanksione kundër Bakut dhe tërheqjen e tij nga territori i çliruar nga pushtimi armen në vitin 2020.

Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike, Armenisë dhe Azerbajxhanit, kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Karabakun, një territor i njohur në nivel ndërkombëtar si pjesë e Azerbajxhanit, si dhe shtatë rajone fqinje të saj.

Në vjeshtën e vitit 2020, në 44 ditë përleshje, Baku çliroi shumë qytete, fshatra dhe vendbanime në Karabak nga pushtimi armen, duke përfunduar me një armëpushim të ndërmjetësuar nga Moska. Marrëveshja e paqes e konfliktit u shpall si triumf në Azerbajxhan.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re