Parlamenti i Azerbajxhanit ka hequr gjendjen e luftës, e cila ishte në fuqi në qytete dhe rajone të caktuara të vendit.
Parlamenti miratoi vendimin e presidentit Ilham Aliyev duke hequr gjendjen e luftës, të vendosur që nga 27 shtatori kur ushtria azerbajxhanase filloi operacionin për të çliruar territoret e saj nga pushtimi armen.
Gjatë gjendjes së luftës, liritë kushtetuese dhe të drejtat pronësore të shtetasve azerbajxhanas dhe të huajve në vend u pezulluan pjesërisht dhe përkohësisht, si dhe u vendos një shtetrrethim në disa rajone për orë të caktuara.
Konflikti në Malësinë e Karabakut
Marrëdhëniet midis dy ish-republikave sovjetike, Azerbajxhanit dhe Armenisë, kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991 kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, një territor ndërkombëtarisht i njohur i Azerbajxhanit.
Kur përplasjet e reja shpërthyen më 27 shtator, ushtria armene filloi sulmet ndaj civilëve dhe forcave të Azerbajxhanit, si dhe shkeli disa marrëveshje humanitare të armëpushimit.
Gjatë konfliktit, Azerbajxhani çliroi nga pushtimi armen disa qytete dhe gati 300 vendbanime dhe fshatra.
Më 10 nëntor, të dy vendet nënshkruan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Rusia për t’i dhënë fund luftimeve dhe për t’u angazhuar drejt një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse.
Armëpushimi u konsiderua si një fitore për Azerbajxhanin dhe një humbje për Armeninë, forcat e armatosura të së cilës janë tërhequr në përputhje me marrëveshjen.
