Këshilltari presidencial i Azerbajxhanit, Hikmet Hajiyev deklaroi se i kanë dhënë edhe 10 ditë afat Armenisë për të evakuuar qytetin nën pushtim Kalbajar.

Hajiyev në një konferencë për media bëri të ditur se qeveria e Jerevanit me ndërmjetësimin e Rusisë ka kërkuar edhe pak kohë për t’u larguar nga Kalbajari. Ai theksoi se edhe Azerbajxhani duke treguar humanizëm ka pranuar të zgjasë afatin deri më 25 nëntor.

“Kushtet e motit në rajon janë vështirësuar dhe rruga e vetme në atë drejtim Zod-Varnenis është një rrugë e ngushtë”, tha Hajiyev i cili shtoi se Azerbajxhani duke marrë parasysh këto kushte i dha kohë shtesë Armenisë për largimin e civilëve.

Ai rikujtoi se popullata armene në Kalbajar është vendosur atje në mënyrë ilegale pas pushtimit të kryer në vitin 1993.

Në kuadër të marrëveshjes që u arrit me ndërmjetësimin e Rusisë më 10 nëntor mes Azerbajxhanit dhe Armenisë pritej që ushtria armene të largohej nga Kalbajari më 15 nëntor.

AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re