Azerbajxhani ka neutralizuar më shumë se 55 mijë mina dhe municione të pashpërthyera të vendosura nga ushtria e Armenisë në rajonet e çliruara nga pushtimi.

Janë në vazhdim aktivitetet për pastrimin e minave që janë vendosur në të kaluarën nga forcat armene në rajonin e Karabakut dhe zonat përreth të cilat Azerbajxhani i çliroi nga pushtimi i Armenisë. Në rajonet e çliruara nga pushtimi, parashikohet se ndodhen qindra mijëra mina të cilat janë vendosur nga ushtria e Armenisë.

Aktivitetet për pastrimin e minave zhvillohen nga Agjencia e Azerbajxhanit për Pastrimin e Minave (ANAMA) dhe njësitë e fortifikimit të Forcave të Armatosura të Azerbajxhanit. Në këto aktivitete ofrojnë kontribut edhe ekipet e Ministrisë së Situatave Emergjente, Komandës së Shërbimeve Kufitare si dhe njësitë Speciale për Kërkimin dhe Pastrimin e Minave (ÖMAT) të Forcave të Armatosura të Turqisë (TSK).

Sipas informacioneve që gazetari i AA-së ka siguruar me rastin e “4 Prillit Ditës Botërore e Ndërgjegjësimit për Minat” mësohet se nga ekspertët për pastrimin e minave është skanuar një sipërfaqe prej 23 mijë hektarë që nga 10 nëntori 2020 kur përfundoi Lufta e Dytë e Karabakut e deri më tani. Në zonat e skanuara janë përcaktuar dhe shkatërruar mbi 26 mijë municione të pashpërthyera, mbi 19 mijë mina kundër personelit dhe 10 mijë mina anti-tank.

Për shkak të shpërthimit të minave të vendosura nga forcat e Armenisë gjatë periudhës së pushtimit, thuhet se nga 10 nëntori 2020 e deri më sot kanë humbur jetën 37 shtetas të Azerbajxhanit prej të cilëve 7 ushtarë dhe 30 civilë.

Për periudhën në fjalë, si pasojë e shpërthimit të minave janë plagosur gjithashtu 160 persona, përfshirë 111 ushtarë dhe 49 civilë.

Armenia në këmbim të shtetasve armenë të arrestuar në Azerbajxhan i ka dorëzuar Azerbajxhanit hartat e 92 mijë minave të vendosura në rajonet Fuzuli dhe Zangilan dhe të 97 mijë minave të vendosura në Aghdam të cilat dikur i kishte nën pushtimin e tij.

Qeveria e Jerevanit më pas sërish në këmbim të disa ushtarëve armenë në duart e Azerbajxhanit, i dorëzoi qeverisë së Bakusë të gjitha hartat e minave.

Zyrtarët azerbajxhanas kanë deklaruar se hartat që Armenia ka dorëzuar janë të sakta në masën 25 për qind.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re