Kompania shtetërore e naftës e Azerbajxhanit (SOCAR) ka nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për furnizimin me gaz shtesë në Evropë me operatorët e sistemit të transmetimit të Bullgarisë, Rumanisë, Hungarisë dhe Sllovakisë.

Ministrat e pesë vendeve nënshkruan marrëveshjen në një ceremoni në kryeqytetin bullgar Sofje, ku morën pjesë edhe presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev dhe homologu i tij bullgar, Rumen Radev.

Presidenca e Azerbajxhanit tha se gazi shtesë i Azerbajxhanit do të furnizohet përmes sistemeve të përmirësuara të rrjetit të transmetimit të katër vendeve të Bashkimit Evropian (BE) nën iniciativën e quajtur “Unaza e Solidaritetit”.

Aliyev tha se kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm në diversifikimin e burimeve të energjisë në rajon.

“Ky projekt e bëri të mundur zgjerimin e furnizimit kombëtar të gazit të Azerbajxhanit në Evropë dhe tashmë po ndihmon në forcimin e sigurisë energjetike të Evropës”, tha Aliyev.

Duke theksuar se Azerbajxhani dërgoi tetë miliardë metra kub gaz në Evropë, Aliyev tha se objektivi i Bakut këtë vit është të arrijë 12 miliardë metra kub gaz. Ai shtoi se marrëveshja do të hapë rrugën për të eksportuar më shumë gaz në shumë vende të tjera evropiane.

“Sot, gazi i Azerbajxhanit eksportohet në Gjeorgji, Türkiye, Greqi, Bullgari, Itali dhe duke filluar nga ky vit në Rumani. Deri në fund të këtij viti, nëse të gjithë interkonektorët e nevojshëm janë vendosur, ne planifikojmë të fillojmë furnizimin me gaz për Hungarinë dhe Sllovakinë”, tha Aliyev.

Presidenti azerbajxhanas tha se vendi i tij ka marrëveshje të partneritetit strategjik me nëntë vende të BE-së, duke u shprehur se gjithashtu është i gatshëm të vazhdojë bashkëpunimin me vendet partnere dhe të arrijnë “të gjitha qëllimet së bashku”.

Aliyev zhvilloi edhe një takim kokë më kokë me homologun e tij bullgar, gjatë të cilit u bisedua për lidhjet dypalëshe, si dhe bashkëpunimin politik dhe ekonomik.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re