Autoritetet e Azerbajxhanit përshëndetën përparimin e arritur në bisedimet e paqes me Armeninë dhe e cilësuan suksesin si një hap të rëndësishëm drejt arritjes së interesave të Azerbajxhanit, paqes rajonale dhe krijimit të kushteve për prosperitet dhe zhvillim.

Në Bruksel u mbajt një takim trepalësh, ku morën pjesë presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev dhe kryeministri armen, Nikol Pashinyan.

Ministria e Punëve të Jashtme të Azerbajxhanit njoftoi se tre liderët ranë dakord për formimin e një komisioni të përbashkët për të hartuar një marrëveshje paqeje midis Azerbajxhanit dhe Armenisë.

Në deklaratë thuhet se palët ranë dakord të formojnë një komision të përbashkët deri në fund të prillit për të përcaktuar kufijtë midis Azerbajxhanit dhe Armenisë.

“Në takimin trepalësh u diskutua për hapjen e komunikimeve tokësore dhe hekurudhore mes dy vendeve. Bisedimet në Bruksel ishin një hap i rëndësishëm drejt realizimit të interesave tona, paqes rajonale dhe krijimit të kushteve për prosperitet dhe zhvillim”, thuhet në deklaratë.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re