Azerbajxhani ka gjetur më shumë se 1.300 mina të vendosura nga trupat armene në rajonin Lachin, i cili shtrihet midis Nagorno-Karabakut dhe Armenisë, tha sot Ministria e Mbrojtjes e vendit.

Gjatë dy javëve të fundit, gjithsej 1.318 mina janë zbuluar në fushat e minuara anti-personel, tha ministria në një deklaratë.

Në deklaratë thuhet se minat u prodhuan nga Armenia në vitin 2021 pas Luftës së Dytë të Karabakut.

Ministria vuri në dukje se në përputhje me ligjin ndërkombëtar, Konventa e Otavës e vitit 1997 ndalon përdorimin, grumbullimin, prodhimin dhe transferimin e minave tokësore anti-personel.

Për më tepër, thuhet më tej, Armenia shkel kërkesat e Protokollit Shtesë I të Konventave të Gjenevës të vitit 1949 dhe “nuk respekton” komunitetin ndërkombëtar duke vendosur mina anti-personel.

“E gjithë kjo është krim i qëllimshëm kundër paqes dhe sigurisë në rajon dhe mjedis, gjë që tregon edhe një herë qëllimet armiqësore të Armenisë”, përfundoi ministria.

Marrëdhëniet midis ish-republikave sovjetike, Armenisë dhe Azerbajxhanit, kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Nagorno-Karabakun (Karabakun e Sipërm), territor i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, dhe shtatë rajone të përngjitura.

Gjatë konfliktit në vjeshtën e vitit 2020, Azerbajxhani çliroi disa qytete dhe afro 300 vendbanime dhe fshatra që ishin pushtuar nga Armenia për gati tri dekada.

Konflikti mori fund me një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Rusia në nëntor 2020.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re