Babai i kryeministrit britanik Boris Johnson tha të enjten se ai ishte në procesin e aplikimit për nënshtetësinë franceze në mënyrë që të ruante lidhjet e tij me Bashkimin Evropian pas Brexit.

Stanley Johnson, një ish-anëtar i Parlamentit Evropian i cili votoi në një referendum britanik në 2016 për të qëndruar në Bashkimin Evropian, i tha radios RTL se ai dëshiron të bëhet një qytetar francez për shkak të lidhjeve të forta familjare me Francën.

“Nëse e kuptoj saktë, unë jam francez. Nëna ime ka lindur në Francë, nëna e saj është një franceze e vërtetë, ashtu si edhe gjyshi i saj. Kështu që për mua, është një kthim në atë që tashmë kisha. Dhe kjo më bën shumë të lumtur,” tha 80-vjeçari Johnson, i cili foli në frëngjisht.

“Unë do të jem gjithmonë evropian, kjo është e sigurt. Askush nuk mund t’u thotë britanikëve: ju nuk jeni evropianë. Eshtë e rëndësishme të kemi një lidhje me Bashkimin Evropian,” shtoi ai.

Boris Johnson, ndër ithtarët kryesorë të Brexit

Djali i tij Boris ishte fytyra publike e fushatës dalëse nga BE në referendumin 2016, pasi argumentonte se Britania mund të “bëjë përparim të rëndësishëm” si një komb plotësisht i pavarur përtej asaj që e sheh si një BE tepër burokratike.

Por të mërkurën, Kryeministri dukej më pajtues kur parlamenti miratoi një marrëveshje të re tregtare me BE, duke thënë: “Ky nuk është fundi i Britanisë si një vend evropian. Ne jemi në shumë mënyra një civilizim thelbësor evropian … dhe do të vazhdojmë të jemi të tillë”.

Mbretëria e Bashkuar largohet zyrtarisht nga Bashkimi Evropian të enjten në mbrëmje.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re