Ish-kandidatja e LSI-së për deputete në qarkun e Vlorës, Griselda Myslymi, babai dhe xhaxhallarët e të cilës janë arrestuar nga Policia ka bërë një denoncim të fortë për gjyqtarin Arqile Basho, i cili u dhunua nga të afërmit e saj.

Sipas Myslymit, gjyqtari Basho ka dhënë një vendim nën dyshime korrupsioni.

Sipas Myslymit, familja e saj është në gjyqe prej disa vitesh, pasi firmat që iu kanë marrë truallin për ndërtimin e pallateve, kanë dalë nga kontrata.

“Jam vajza e një prej vëllezërve të arrestuar, problematika jonë fillon nga 2010, ku kemi lidhur kontrata me dy kompani, pronari i njërës prej tyre është këshilltar bashkiak, dhe ka mbajtur poste drejtuese në Vlorë.

Problematika jonë nuk lidhet vetëm me pronën në fjalë, pronat janë shitur në disa pronarë të ndryshëm, prej vitesh jemi endur nëpër gjyqe, në 2019 Gjykata e Apelit na ka dhënë të drejtë, zoti Basho ka dalë mbi vendimin e apelit, duke i dhënë të drejtë këtyre kompanive.

Jam e gatshme që kjo çështje të ndiqet nga SPAK, unë mendoj se gjyqtari është duke bërë korrupsion, ne kemi qenë pronar të truallit, firma nuk ka si mund të shesë hyrjet tona, që janë të caktuara në kontratë. Ky është rast flagrant i korrupsionit që është bërë nga ky gjyqtar”, u shpreh ish-kandidatja për deputete.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re