TIRANË- Një tjetër përballje me qëllimin e vetëm për të zbuluar të vërtetën dhe të drejtën. Emisioni “Me zemër të hapur” në News24 ka vënë përballë sot Ajet Rexhepin nga fshati Shkallë i Konispolit, i akuzuar për vrasjen e 44-vjeçarit Pajtim Shehu më 13 shkurt të vitit 2016 si dhe gruan e viktimës Mirela Shehu.

Ajet Rexhepi telefonoi nga burgu në emision duke këmbëngulur për pafajësinë e tij. Ai përmendi disa emra që sipas tij duhet të thirren jo vetëm si dëshmitarë por si të pandehur për vrasjen e 44-vjeçarit.

Nga ana tjetër gruaja e viktimës thotë se ai është vrasësi i burrit të saj dhe hedh dyshime për të kaluarën e tij. Në një lidhje telefonike me studion e emisionit “Me zemër të hapur”, zonja Mirela u shpreh se para vrasjes mes dy familjeve ka pasur një konflikt të çuditshëm, pasi Ajet Rexhepi akuzonte bashkëshortin e saj si hajdut, duke shpifur edhe në polici, raporton “BalkanWeb”.

“Nuk mundet askush të përbaltë emrin e bashkëshortit tim. Në radhë të parë sepse ka ikur nga jeta. Bashkëshorti im nuk merrej me lëndë narkotike por me punë të ndershme, me bujqësi dhe mekanik. E kam lexuar dhe më vjen keq që është hedhur një gjë e tillë nga familjarët e të akuzuarit. Unë nuk e pranoj dhe nuk e lejoj dot”, deklaroi ajo.

GRUAJAA jeni e qetë që drejtësia shqiptare ka dhënë versionin e saj për autorin?Po jam e bindur sepse jam e bindur që është i vetmi autor dhe kryesori.

Cilat kanë qenë qëllimet e tij?I di ai dhe familjarët e tij. Ne kemi pasur një konflikt të pakuptueshëm. Janë bërë denoncime nga ana e tij për bashkëshortin tim anonime dhe të hapura në policinë e shtetit. Ai e përfliste në polici që bashkëshorti im ishte hajdut. Arsyeja pse doli burri im ishte pikërisht sepse nuk duronte dot këto shpifje.

Natën e krimit kur doli nga shtëpia bashkëshorti juaj?Nga shtëpia ka dalë nga ora 12:34 minuta, e ka telefonuar Arqileja.

Pse mendoni se e ka vrarë Ajeti dhe jo personi që ka vjedhur?Kush e provon që ai nuk është autori dhe ata bashkëpunëtorët.

Si e njihni zotin Rexhepi?E njoh unë por e njeh gjithë fshati si njeri negativ. Hajdeni të pyesni në fshat kush është familja e tyre dhe kush është e jona.

Ishte i aftë të vriste?Por ishte i aftë sepse ka qenë dhe herë tjetër i akuzuar. Ai është larguar nga puna me motivacion për trafik droge.

TELEFONATA NGA BURGUNga ana tjetër Ajet Rexhepi kërkoi katër persona si dëshmitar, përfshi pronarin e biznesit ku kishte ndodhur vjedhja, i cili e kishte telefonuar Pajtim Shehun (viktimës) për ndihmë natën e vrasjes dhe më pas ai ishte gjetur i vdekur pas shtëpisë së tij.

Me një telefonatë në emisionin “Me zemër të hapur”, Ajeti tha se ka qenë me të birin në shtëpi dhe se nuk ka pasur konflikt me viktimën.

“Nuk jam marrë me veprimtari të paligjshme, nuk kam asnjë precedent. Duhet të thirren për dëshmitarë katër persona. Ai që e telefonoi Pajtimin natën e vrasjes, ngriti elektrikun për të parë hajdutin që hipi në fuoristradë por gënjeu dhe tha nuk e pashë, as atë e as targën e makinës. Madje ata duhet të thirren si të pandehur. Ku janë pamjet e kamerave të sigurisë? Pse nuk është gjetur asnjë provë për mua?”, tha Ajet Rexhepi.

Gruaja dhe vajza e tij ishin në studio duke kërkuar gjithashtu drejtësi për kryefamiljarin. E bija e Ajetit u përlot në studio teksa tregoi se për këtë krim që nuk e ka bërë por që akuzohet i atij e gjithë familja po vuan dhe ngacmimet në fshat. Por ajo tha se dhimbja më e madhe ishte e ëma e saj.

“Mami po e vuan më shumë se të gjithë. Më dhemb shpirti kur e shoh ashtu”, tha mes lotësh vajza e të akuzuarit për vrasje.

Edhe bashkëshortja e tij kërkoi drejtësi dhe të mos bëhen manipulime si në Sarandë e Gjirokastër, tashmë që kanë apeluar vendimin.

“Të jepet drejtësi dhe të mos bëhen manipulime si në Sarandë e në Gjirokastër. Është një dorë e madhe, dikush që ka paratë dhe pushtetin”, u shpreh ajo.

Pajtim Shehu, 44 vjeç natën e vrasjes u telefonua për ndihmë nga fqinji i tij Arqile Boci, i cili kishte dëgjuar zhurma në dyqanin e tij. Por sapo Pajtimi ka dalë nga shtëpia për t’i shkuar në ndihmë fqinjit që po grabitej, ai është qëlluar me një plumb duke gjetur vdekjen. Pak minuta më pas kanë dalë të gjithë fqinjët mes tyre edhe Ajet Rexhepi duke konstatuar trupin e pajetë të Pajtimit. Sipas policisë, para se të qëllohej me plumb 44-vjeçari duhet të ishte përleshur me autorët pasi kishte shenja në fytyrë e trup. Pas ngjarjes u arrestua dhe u dënua me 24 vite burg Ajet Rexhepi, ish-punonjës policie i cili edhe sot kërkon drejtësi me pretendimin se është i pafajshëm.

(m.k/BalkanWeb)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re