Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një konferencë për shtyp, ditën e sotme nga selia e PD,  akuzoi qeverinë në lidhje me menaxhimin e pandemisë.

Basha tha se pacientët me COVID-19 nuk kanë ku të përplasen, teksa solli rastin e babait të një gazetari, i cili kishte pritur 6 ditë me simptoma para se t’i bënin tamponin. Më tej Basha tha se në momentin që ai kishte shkuar në spital 75% të mushkërive i kishte të dëmtuara.

“Unë kam marrë shumë mesazhe. Pacientët e sëmurë me COVID tani nuk kanë ku të përplasen. Sot në mëngjes e vetmja përgjigje për këtë krizë ishte një tjetër paradë e kryeministrit në një pavijon. Informacionet e fundjavës kanë treguar për të sëmurë me COVID që nuk iu është përgjigjur urgjenca dhe kur është përgjigjur i kanë drejtuar në spitale pa asnjë mbrojtje nga COVID. Jam personalisht në dijeni të rasteve me COVID të refuzuar nga sistemi shëndetësor.

Nëse plani ynë me 5 pika do ishte vënë në veprim 4 javë më parë do kishim funksionalë kapacitetet të vërteta dhe do kishim mundësi që mjekësia shqiptare të përballonin dhe fluksin e të sëmurëve të tjerë. Numri i testimeve më i ulëti në Evropë.

Pacientëve u duhet të presin shumë ditë për të bërë tamponin. Babai i një kolegut tuaj ka pritur 6 ditë me simptoma për të bërë tamponin. Kur ka shkuar në spital ka pasur 75 % të pulmoneve të prekur.”, deklaroi Basha.

Sipas Bashës, shumica dërrmuese e qytetarëve nuk mund ta përballojnë koston e paketës së trajtimit me paratë e tyre.

“Shumica dërrmuese e qytetarëve tanë e kanë të pamundur të paguajnë çmimin minimal. 600 mijë lekë në muaj është minimumi i shpenzimeve për një të sëmurë me Covid-19”.

Kryedemokrati ripërsërit apelin për rritje të testimeve dhe rimbursim të ilaçeve për të prekurit me koronavirus.

“Ka kaluar numri i 300 pacientëve në ditë, numri i testimeve mbetet më i ulëti në Europë. Të çohet numri i testimeve në 2000 më ditë, ky është hapi i parë. I dyti të rimbursohet paketa e ilaçeve, mobilizim total i sistemit përmes kapaciteteve për t’u përballur në çdo nivel dhe bonusi 1000 euro për mjek, 500 euro për çdo infermier”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re