“Babai im ka qenë buka e fukarait. Me politikë s′është marrë kurrë. Që në klasë të katërt më përjashtuan nga shkollat e të gjithë Shqipërisë. Unë kisha dëshirë që t’i ngjaja babait edhe pse nuk do t’i ngjaj asnjëherë”

Kështu thotë Suzana Biçaku Maliqi, sot 87 vjeçare. Faji i vetëm i saj? Ishte pjesë e një familje të pasur tregtare të Shqipërisë dhe u persekutua që në vitet e para të regjimit komunist. Pavarësisht se nëna e babai i saj nuk merreshin me politikë, por me tregtinë e ndihmën e nevojtarëve, u burgosën për dekada, pasi shiheshin si “armiq të popullit”

Sot historia e Suzanës, e cila përballoi vetminë e vështirësitë që në vegjëli, është përkthyer në një libër. I projektuar si një intervistë mes autorit e vetë 87 vjeçares, libri nxjerr në dritë kohën e dikurshme dhe çfarë ndodhte me jetët e njerëzve që shiheshin si armiq të sistemit.

 “Në rrëfimin e Suzanës më kanë bërë përshtypje 2 gjëra: thjeshtësia dhe mosurrejtja. Një person që nuk ka urrejtje me ata që e përndjekin përgjithmonë, pavarsisht se e hoqën nga shkolla, pavarsisht se i dhanë punë të rëndomta të sistemit ajo nuk urrente asnjëri. Çdo gjë që rrëfente për jetën e saj, rrëfente vetëm pjesën e bukur, ama nuk arriti të akuzojë një person në vetë të parë, të thojë që komunizmi më bëri këtë.”-thotë Denis Gila për median

Me ardhjen e demokracisë, Suzana u largua drejt Italisë, aty ku jetoi për shumë vite.

 “Në Itali bëri punë nga më të rëndomtat, shoqëronte personat në moshë edhe pse vetë ishte në moshë. Nuk doja ta ekzagjeroja, por Suzana është një Nënë Tereza në miniaturë” thotë Gila.

Libri u prezantua në Akademinë e Shkencave në Tiranë dhe bën pjesë në kolanën e institutit për Krimet e Komunizmit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re