Prova laboratorike e ardhur nga Anglia lidhur me audio-përgjimin e famshëm të pagëzuar si “Babale”, ka konfirmuar fallsitetin e zërit të vëllait të ministrit ë Brendshëm Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj. Ai që ka luajtur rolin e këtij të fundit, sipas asaj çfarë ka hetuar e konkluduar në fund Prokuroria e Krimeve të Rënda, është Fredi Alizoti, për të cilin është lëshuar urdhër-arrest. Gjithashtu, urdhër-arrest është lëshuar dhe për Albert Veliun, ndryshe Babalja, ndërsa për gazetarin Jetmir Olldashi kërkohet detyrim paraqitjeje.

Që që kur PD prezantoi me pult në dorë audio-regjistrimin në selinë e saj, materiali u mohua kategorikisht si nga Agron Xhafaj, i cili më pas bëri menjëherë kallzim në Prokurori, e si nga i vëllai ministër, duke u pasuar nga kryeministri Edi Rama, që tha se privatisht, për të qenë ai vetë i qetë, ja kishte dërguar materialin një laboratori, prej së cilit kishte ardhur përgjigja se gjithçka ishte një manipulim.

Në reagimin e parë pas lajmit, Rama u shpreh: “Uroj që arrestimi i aktorëve të Babale 1 të jetë fillimi, jo fundi i drejtësisë mbi një maskaradë të orkestruar për të llahtarisur dynjanë e rrëzuar qeverinë!”.

Ndërsa Basha, siç dhe pritej, iu turr Prokurorisë.

“Kush priste diçka tjetër nga prokuroria Rama-Marku-Xhafa-Prela, është vetëm naiv. Agron Xhafaj që i fshihej prej 5 vitesh drejtësisë me ndihmën e vëllait, u largua me urgjencë drejt Italisë, që të mos përballej me hetimin dhe akuzat që prokuroria e kapur i quan sot montim.

Sot çdo shqiptar e kupton më qartë se kurrë pse Edi Ramës i duhej prokuroria nën komandën e tij. Me aktin e sotëm, Rama i ka vënë zjarrin shtetit ligjor. Tani nuk ka mbetur rrugë tjetër për të vënë banditët para përgjegjësisë, përveç rrëzimit me çdo mjet të mafias në pushtet”.

Ndërkohë, e njëjta gjë po vijon dhe me pretendimin tjetër të opozitës, referuar deklarimeve të policit në arrati Emiljano Nuhu, se Taulant Balla ka qenë prezent në Komisariatin e Fushë – Krujës, ku i është vënë pistoleta në kokë nga Rrajat.

Edhe për këtë rast, si Balla nominalisht e si mazhoranca, thonë se është e gjitha një mashtrim dhe për këtë arsye janë depozituar kallzime penale në gjykatë. Ndaj dhe është quajtur “Babale 2”.    

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re