Fjala e kryeministrit Rama në grupin parlamentar socialist, ka qenë një tiradë shpotitjesh ndaj opozitës, duke përfshirë në të gjitha çështjet e ditës, që nga të ashtuqujturat “Babale”, te Xhisela e  Taulant Balla.

Fillimisht, Rama ka komentuar ngjarjen e një shpërthimi tritoli këtë mëngjes në Fushë Krujë, afër banesës së Xhisiela Malokut, e lexuar si një përpjekje për vijimin e një komploti politik.

“Mbrëmë natën, vajzës së kthyer për mish për topat e kësaj politike të ulët i  është hedhur lëndë plasëse në shtëpi. Kush është i interesuar të krijojë në publik idenë se vajza është nën trysninë e një terrori psikologjik?! Ne? Jo! S’ka mendje normale, madje dhe peshqit e liqenit artificial të kuptojnë që për këtë kanë vetëm interesa ata që e dhunuan publikisht për ditë e ditë të tjera dhe askush tjetër. Ata që i dinë shqiptarët për budallenj dhe synojnë t’i bindin se një histori dhune fizike mes dy të rinjve na qenka në fakt një dhune seksuale e frymëzuar politikisht nga një baba deputet dhe e pandëshkuar ligjërisht sepse kryetari i deputetëve me armë në dorë ka shkuar dhe ka kanosur oficerin që të mbyllë gojën”, tha Rama.

Më pas, duke iu referuar letrës së një grupi deputetësh të opozitës për shkarkimin e Taulant Ballës si kreu i Delegacionit shqiptar në Asamblenë e Përgjithshme të PE-së, ku mes tyre ishte dhe ish-ministrja Klajda Gjosha, pjesë e kabinetit “Rama 1”, shefi i qeverisë u kap në këtë detaj kur iu drejtua në distancë:

 “E dashur Klajda qetësohu. Taulanti është ai që ka qenë dhe bashkëpunoje me të si drejtues i delegacionit. Ai nuk ka bërë kurrë atë që ka tronditur kaq shumë Monikën dhe ty. Materialet filmike të komisariatit të Krujës janë në prokurori. Ti mund t’i drejtohesh policisë dhe të shikosh materialet shko shikoji filmimet…”, ishin fjalët e Ramës, duke vijuar të thotë se “është ndërmarrë ofensiva më e madhe e baltës ndaj policisë së shtetit, ndaj ministrave dhe deputetëve, veten nuk po e përmend, se i bie të përmendësh litarin në shtëpinë e të varurit. Është regjistruar shpifja më e egër ndaj ministrit të Brendshëm dhe shpifje aluçinante e padëgjuar ndonjëherë ndaj kryetarit të grupit parlamentar.

“….gënjeshtra, shpifje sharje, pa asnjë gajle.. llapën jashtë si qen gjahu, çizmen në dorë e të dalë ku të dalë motra. Kanë dhe fatin që mediat në përgjithësi janë dhe ato të dalë ku të dalë motra. Nuk kanë asnjë lidhje me misionin e tyre, me ndonjë përjashtim që përforcon rregullin, me çizme në dorë, me gjuhën jashtë dhe mjerë ky milet çfarë i shohin sytë sa ndizet ekrani dhe sa çelet portal”, theksoi Rama.

Në fund, ai ka konkluduar se e gjitha kjo ka si shkas një kërkesë që kreu i opozitës ja ka drejtuar në kofidencë.

Luli ma ka thënë atë që do. Do pushtetin me marrëveshje në tavolinë. Njëherë ti një herë unë. Por është e vetmja gjë që unë Lulit nuk ia jap dot…”, deklaroi Rama.

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re