Pas vulës së PD, shorti përplas sërish gjyqtare Elona Mihali me demokratët.

Këtë herë elektronika ka përcaktuar se Elona Mihali do të jetë gjyqtarja që do të vendosë me kërkesën e deputetit Ervin Salianji, në proces si i pandehur, për shkarkimin e gjyqtares Edlira Petri.

Kujtojmë se ishte pikërisht Elona Mihali, kryesuese e trupit gjykues që më 3 mars vendosi të kthejë cështjen e vulës dhe siglës së PD, në gjykatën e shkallës së parë, duke rrëzuar kështu Rithemelimin e Sali Berishës.

Në seancën e së martës, deputeti Ervin Salianji kërkoi përjashtimin e kryesueses Edlira Petri me argumentin se ajo është bashkëshorte e gjyqtarit të gjykatës së Lartë Sokol Sadushi, që ka shqyrtuar një kërkesë të Salianjit e cila është refuzuar më herët nga Petri. Bëhet fjalë për përjashtimin e gjyqtarit Artan Gjermeni që ka dënuar me 1 vit burg Salianjin me akuzën e kallëzimit të rremë.

Po kështu sipas Salianjit, gjyqtarja Petri ka marrë pjesë në debatin e brendshëm të Partisë Demokratike për rastin e vulës në cilëisnë e gjyqtares së medias dhe në të njëjtën kohë ka përshpejtuar datën për procesin ndaj tij në kundërshtim me ligjin. Një tjetër argument ishte se, Petri ka lidhje familjare me vëllain e Geron Xhafës që ai e denoncoi për trafik droge, Fatmir Xhafën.

Ervin Salianji u shpall fajtor nga gjykata e shkallës së parë në vitin 2019-të me akuzën e Kallëzimt të rremë’ dhe u dënua me 1 vit burg. Ndërsa gazetari Jetmir Olldashi, u dënua me 6 muaj burg që iu konvertua në 100 orë punë në komunitet. Nëse Apeli do të konfirmojë vendimin e Shkallës së Parë, Salianji, do të vuajë dënimin me burg.

Njoftimi i gjykatës: 

Në vijim të komunikimit, mbi çështjen penale me të pandehur Jetmir Olldashi dhe Ervin Salianji, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Kallëzim i rremë” i kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 305 dhe 25 të Kodit Penal, viktim/kallëzues i veprës penale, shtetasi Geron (Agron) Xhafaj,  Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, ju informon si më poshtë:

-Kërkesa me nr. 1650 prot, datë 07.03.2023, bërë nga i pandehuri Ervin Salianji dhe kërkesa me nr. 1651 prot, datë 07.03.2023, bërë nga përfaqësuesi i të pandehurit Jetmit Ollashi, av. Indrit Sefa, për përjashtimin e gjyqtares Edlira Petri, në bazë të shortit elektronik, do të shqyrtohet nga gjyqtare Elona Mihali./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re