Pastiçierët nga mbarë Turqia bashkuan forcat dhe përgatitën bakllavanë më të madhe në botë, të cilën e konfirmoi edhe komisioni për shpallje në librin e rekordeve Guinness.

Bakllavaja më e madhe në botë u përgatit në margjinat e Panairit të 3-të Ndërkombëtar të Turizmit, Travelexpo dhe Samitit të gastronomëve, që po mbahet në kompleksin ATO Congresium në Ankara.

Bakllavanë me një peshë rekorde 515 kilogramë, pastiçierët turq e poqën në një tepsi ndërkohë që përpjekjen nga afër e ndoqën përfaqësuesit e komisionit për vendosjen në librin Guinness, të cilët e vlerësuan si të suksesshme.

Njëri nga sponsorët e bakllavasë më të madhe në botë ishte kompania MADO, kreu i të cilës Mehmet Kanbur, deklaroi për AA se pastiçierët kanë punuar në tre muajt e kaluar.

Sipas tij, qëllimi i kësaj ka qenë regjistrimi i bakllavasë si një produkt i traditës turke, por njëkohësisht i është dërguar botës një mesazh se tani është koha për ëmbëlsira, jo për përleshje.

“Bakllavaja turke ka vendin e saj gjatë lindjeve ose vdekjeve të njerëzve, gjatë Bajramit dhe datave tjera të rëndësishme në jetën tonë. I dëshmuam botës se kemi ëmbëlsirën më të mirë në botë. Këta 515 kilogramë janë dyfishi i rekordit të vjetër”, tha Kanbur, raporton AA. Bakllavaja në fjalë u poq në një tepsi të gjerë 2.5 metra dhe të gjatë 7.5 metra dhe ka gjithsej 11.800 copë.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re