Kreu i Grupit Parlamentar Socialist,  Taulant Balla ka reaguar pas marrjes në pyetje nga prokurorët belgë të Lulzim Bashës në lidhje me dosjen hetimore për Toyota Auris.

Balla tha se Basha ngriti akuza ndaj tij atë ditë në parlament duke qenë se qeshi më shumë se të tjerët me lapsusin matematikor të Bashës gjatë fjalimit në Kuvend.

“Historia me akuza të pavërteta po merr goditjen e duhur sepse nëse Basha para tre ose katër vitesh akuzonte me të njëjtën mënyrë si babai i tij politik sot jemi në kushtet kur duhet të paguajë kostot e kësaj politike. Jam krenar që një akuzë e pavërtetë që Basha adresoi ndaj meje sepse qesha më shumë me gafën e tij 7X7 bëjnë 42. Sot mendoj se Basha ka kohën në dipozicion për t’iu përgjigjur prokurorëve belgë dhe shqiptarë. Gënjeshtra e Lulit ishte gënjeshtër. Me dijeni apo pa dijeni dëmtoi një operacion policor”, tha Balla.

Duke folur për paralajmërimet e Bashës për arrestimin e një ministri të tretë, Balla shtoi se së pari ai duhet të mbajë përgjegjësi për shumë pisllëqe që ka bërë bashkë me Berishën.

“Jam shumë krenar që e kam fituar këtë betejë. Basha të merret me ato që ka bërë vetë. Edhe Luli është duke korrur ato që ka mbjellë. Dhe Saliu është duke korrur ato që ka mbjellë me Lulin. Komisionet Hetimor kanë përfunduar me raport.

Merrni dhe lexoni raportin kur është detajuar e gjithë skema kur një person ka shkuar dhe ka tërhequr në bankë shumën e parave për privatizimin e kompanisë OSSH. Kam bërë jo më larg se një vit e gjysmë një kallëzim për privatizimin korruptiv që është në lidhje me kompleksin Partizani.

Jemi njoftuar që një prokuror e ka marrë këtë dosje. Unë nuk jam thirrur asnjëherë.  Prangat e Lul Bashës janë një fabul që Basha në radhë të parë duhet të mbajë përgjegjësitë e veta për shumë alliverishe dhe pisllëqe që ka bërë me Berishën”, tha Balla.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re