Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla deklaroi se SPAK ka detyrimin të bëjë publike disa dosje në ngarkim të ish-kryeministrit Sali Berisha, nga 21 janari tek ngjarja e Gërdecit.

“Mendoj që SPAK ka detyrimin që në kohë sa më të shkurtër të bëjë publike ecurinë e disa dosjeve korruptive. Unë jam personi që kam depozituar kallëzimin. Vitin e kaluar në shtator kam depozituar një kallëzim për privatizimin e klubit sportiv Partizani, ku person i kallëzuar është Sali Berisha dhe persona të tjerë të lidhur me të, familjarë dhe jo vetëm, ndërkohë që nuk kam asnjë përgjigje për statusin, asnjë informacion.

Kuvendi i Shqipërisë në mars 2017 ka depozituar në Prokurorinë e Përgjithshme kallëzimin penal ndaj Sali Berishës dhe persona të tjerë të lidhur me të për sa i përket raportit përfundimtar të komisionit hetimor për privatizimin e kompanisë OSSH. Në përfundim të së cilit komisioni hetimor ka konkluduar se shtetit shqiptar i është shkaktuar një dëm prej 418 milionë eurosh dhe pas 4 vitesh Kuvendi nuk ka asnjë përgjigje zyrtare nga institucioni i Prokurorisë se çfarë bëhet me këtë kallëzim”, tha Balla.

Ai deklaroi se Sali Berisha ka hesape personale me shqiptarët dhe mendoj që këto çështje duhen adresuar dhe hetuar, sikurse janë dhe çështje të tjera.

“Bëhen 11 vite pas pak ditës nga 21 janari i 2011. Ka qenë zoti Basha që ka qartësuar një përgjegjësi të zotit Berisha më 21 janar 2011. Çfarë bëri Berisha më 21 janar 2011? Mendoj që çështja duhet çuar përpara. Drejtësia e re duhet të sprovohet për këtë çështje.

Për të mos shkuar tek çështja e Gërdecit, ku ka zhvillime. Unë përmenda këto, por ka dhe hesape të tjera. Më vjen keq që konferencën me ju u morëm me një person non-grata, sepse mendoj se është fundi më i keq i një personi që s’ka ditur ta mbyllë karrierën me nder”, tha Balla.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re