Kreu i grupit parlamentar të socialistëve Taulant Balla ka folur pas mbledhjes së konferencës së kryetarëve, ku është diskutuar mbi seancën e nesërme që do të zhvillohet në Kuvend, ku do të prezantohet dhe programi qeverisës për katër vitet e ardhshme.

Diskutimet në seancë do të jenë pa limit, dhe Balla tha se Rama dhe ministrat do t’i përgjigjen çdo pyetje të deputetëve të pranishëm në sallë.

“Ne kemi rënë dakord që kjo seancë të përbëhte nga tre pjesë, prezantimi i qeverisë dhe ministrave, më pas merren pyetjet, dhe më pas hapet debati që kulmon me momentin e votimit, qoftë për përbërjen e këshilli të ministrave qoftë për programin.

Ne kemi kërkuar që diskutimet të jenë pa limit, ndërkohë që opozita ka kërkuar që të ketë kohë 10 minuta për diskutimet. Do të ecet hap pas hapi për të votuar qeverinë e re që do të ketë vendi”, tha Balla.

Ditën e nesërme në Kuvend do të ketë një seancë maratonë, ku kryeministri Edi Rama së bashku me ministrat do të prezantojnë programin qeverisës dhe do ti përgjigjen të gjitha pyetjeve të bëra nga opozita.

Programi Qeverisës i partisë Socialiste për mandatin e tretë është zbuluar orë para nisjes së seancës në Kuvend. Programi është me 42 faqe, ku përcaktohen edhe 5 shtylla kryesore mbi të cilat do të fokusohet qeverisja përgjatë mandatit të saj 4-vjeçar.

Ndër pikat më kryesore në program janë:

1. Rimëkëmbje e ekonomisë nga tërmeti dhe pandemia.

2. Mirëqenie për të gjithë, që do të përkthehet në një ekonomi të zhvilluar që krijon shanse për të gjithë.

3. Modernizim për zhvillim të ekonomisë prodhuese, turizmit, energjisë, bujqësisë, ekonomisë digjitale, transporteve dhe shërbimeve.

4. Familja si themeli ku ndërtojmë të ardhmen.

5. Shqipëri e fortë, me shtet të fortë, vëmendje për çdo Shqiptar dhe me dinjitet në botë.

Ndërsa lidhur me procesin e vaksinimit, siç parashtrohet edhe në program, çdo qytetar shqiptar do të ketë mundësinë të jetë i vaksinuar brenda pranverës së vitit 2022. Gjithashtu sa i përket rindërtimit nga tërmeti, parashikohet në program se do të ketë përfunduar si proces brenda vitit 2022. (Lexo lajmin) 

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re