Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla në një deklaratë për mediat, ka folur për ngritjen e komisionit të reformës zgjedhore duke thënë se janë në dakordësi të plotë dhe kanë përfunduar 95% të punës.

Sipas Ballës, ky komision do të adresojë të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR-it që do të jetë edhe objekt i punës.

“Është dakordësi e plotë për tu ngritur. Një dokument parlamentar si projektvendimi për ngritjen e këtij komisioni ku do të arsyetohen objekti i punës apo përbërje janë në punë e sipër. 95% e punës është bërë. Jemi duke saktësuar dhe diçka të fundit që ka të bëjë me objektin e punës së komisionit.

Besoj se këtë çështje do ta zgjidhim, në mos brenda kësaj të enjte, në një nga seancat pasardhëse të Kuvendit të Shqipërisë. Ajo që ka rëndësi është se po e diskutojmë dhe kemi shprehur vullnet për ta ngritur këtë Komision të Posaçëm.

Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore adreson të gjitha rekomandimet që kanë ardhur nga raportet e OSBE-ODIHR-it. Duhet ta pranojmë se kemi që nga 2015 që nuk i kemi adresuar të gjitha rekomandimet dhe ky do të jetë objekti i punës.

Nëse Komisioni vjen edhe me propozime të tjera, do të shqyrtohen. Unë besoj se do ta gjejmë zgjidhjen në themelin e hedhur prej shumë vitesh kur ka ngritur Komisione të Posaçme të Reformës Zgjedhore të Kuvendit”, deklaroi Balla.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re