Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla e quan absurd dhe arbitrar vendimin e gjyqtares së Durrësit për të mos konfirmuar mandatin 4 vjeçar të kryetares së zgjedhur të Bashkisë së Durrësit, Valbona Sako.

Përmes një postimi në rrjetin social facebook Balla deklaron se çdo kryetar i sapo zgjedhur pas shpalljes së vendimit vetëm nga KQZ apo Kolegji Zgjedhor do ta marrë detyrën, do ta ushtrojë dhe do të japë llogari përpara Këshillit Bashkiak sikurse ligji e parashikon.

Sipas Ballës, në Shqipëri sipas Kodit Zgjedhor mandatet e të zgjedhurve i jep vetëm KQZ dhe Kolegji Zgjedhor. Dhe vendimet e Kolegjit Zgjedhor janë përfundimtare dhe të pa-ankimueshme.

Postimi i plotë i Taulant Ballës:

Keqardhje për vendimin absurd, arbitrar dhe nul të një gjyqtareje, e cila mori brohoritjet e atyre që në vijim të përpjekjes së dëshpëruar për kaos e pasiguri, nuk dinë më çfarë bëjnë. Pavarësisht kësaj lajthitjeje anti-ligjore dhe anti-logjike të radhës, në respekt të vullnetit të popullit, çdo kryetar i sapo zgjedhur pas shpalljes së vendimit vetëm nga KQZ apo Kolegji Zgjedhor do ta marrë detyrën, do ta ushtrojë dhe do të japë llogari përpara Këshillit Bashkiak sikurse ligji e parashikon.

Nuk ishte parë e dëgjuar në gjithë këto vite që një vërtetim i thjeshtë fakti të refuzohet duke dalë hapur në shkelje flagrante të ligjit mbi një vendim të formës së prerë. Në Shqipëri sipas Kodit Zgjedhor mandatet e të zgjedhurve i jep vetëm KQZ dhe Kolegji Zgjedhor. Dhe vendimet e Kolegjit Zgjedhor janë përfundimtare dhe të pa-ankimueshme.

Sidoqoftë me keqardhje për ata që kanë humbur rrugën e arsyes, ne mbetemi të qetë dhe të vendosur në rrugën e hapur nga populli më 30 Qershor.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re