Balla: Ndalimi i rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç, domosdoshmëri

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi në Kuvend se të rinjtë dhe fëmijët janë grupi më i ekspozuar ndaj rrezikut të drogës, duke theksuar nevojën për rritjen e sigurisë brenda dhe përreth shkollave.

Gjatë fjalës së tij, Balla u shpreh se është detyrim i Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Brendshme dhe i të gjithë aktorëve të tjerë institucionalë të forcojnë masat për mbrojtjen e fëmijëve nga shpërndarja e lëndëve narkotike, të cilat sot përfshijnë jo vetëm drogat tradicionale, por edhe substanca të reja të shpallura të paligjshme me ligj.

Do ta votoja me shumë kënaqësi një vendim për ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç, një praktikë që po ndiqet nga vende që marrin përgjegjësi si Franca, Spanja dhe Australia”, u shpreh Balla, duke theksuar se një vendim i tillë duhet të merret përmes një konsultimi të gjerë publik.

Pak kohë pasi Spanja, Australia, Franca dhe Portugalia njoftuan se planifikon të ndalojë përdorimin e rrjeteve sociale nga personat nën 16 vjeç, duke miratuar një ligj që do t’i bëjë drejtuesit e mediave personalisht përgjegjës për gjuhën e urrejtjes në platformat e tyre, edhe Greqia duket se po merr të njëjtat masa.

Në një aktivitet me titull “Mbrojtja e Fëmijëve në Epokën Digjitale”, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis theksoi se Greqia është e gatshme të shqyrtojë edhe “ndalimin e përdorimit të rrjeteve sociale duke vendosur një prag për moshën e pjekurisë digjitale”, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.

Nuk mund t’i përdorim vështirësitë e zbatimit të këtyre politikave si justifikim për të mos bërë asgjë për këtë problem”, theksoi ai.