Padi e re me personazhe të “vjetra” – kështu mund të quhet “trokitja” më e fundit e nr.2 të PS-së, Taulant Balla në dyert e Prokurorisë, ku ka bërë kallzim ndaj dyshes Basha – Salianji, por duke shtuar dhe një emër tjetër, atë të Florenc Hoxhës, njeriut që ka realizuar bisedën me Fredi Alizotin, ku ky i fundit flet për “Taulantin” që i ka kërkuar trukojë një dëshmi mbi zërin e Agron Xhafajt.

“Nuk kam kryer asnjë veprim apo mosveprim për të ndihmuar shtetasin Agron Xhafaj. Nuk kam kryer asnjë veprim apo mosveprim për të gjetur apo paguar persona të ndryshëm me qëllim krijimin e provave në favor të shtetasit Agron Xhafaj. Gjatë gjithe veprimtarisë dhe jetës sime nuk kam ndihmuar asnjë shtetas për t’i shpëtuar hetimit dhe ndjekjes penale. Deklarimi i të kallëzuarve prej meje Lulëzim Basha, Ervin Salianji dhe veprimet e Florenc Hoxhës në fabrikimin e provave sipas te cilave unë jam përfshirë në veprimtari kriminale, janë tërësisht të pavërteta dhe të rreme”, thuhet në kallëzimin e Ballës.

Ky është i disati i politikanit të lartë socialist ndaj lidershipit demokrat, ndërkohë që ndaj tij, një ditë me parë ishte Sali Lushaj, ish-badigard i Berishës, që ngriti një padi gjithashtu për shpifje.    

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re