Pas mbledhjes së grupit parlamentar, Taulant Balla, është ndalur dhe ka pasur një prononcim për mediat. Kryetari i grupit parlamentar është pyetur për Komisionet e Posaçme të ngritura për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale. Balla u shpreh se PS është gati për të miratuar emrat nëse nesër Partia Demokratike i ka gati emrat.

“Nëse PD i sjellë emrat që në seancën e nesërme, për të mbledhur të dy komisionet përkatëse, të vijojmë punën. Është e rëndësishme për ne Reforma Zgjedhore dhe vijimi i saj”, deklaroi Balla.

I pyetur nëse do të jetë PS e gatshëm të ulet me Berishën në dy komisionet Territorial dhe atë Zgjedhor, Balla ka thënë se një gjë e tillë nuk është e mundur.

“Është në dinjitetin e Kuvendit. SHBA mbeten aleati i rëndësishëm bashkë me BE në rrugën tonë të anëtarësimit në union. Aleat që punojmë çdo ditë. SHBA e kanë shpallur zyrtarisht Sali Berishën non grata, për minim të demokracisë dhe sabotim të drejtësisë.

Pra për mua dhe për çdo qytetarë është non grata edhe për ta pasur në Kuvend. Kjo është bindje që nuk ndryshon. Akuzat që Berisha i bënte ndaj meje i bën tashmë ndaj Bashës.” tha Balla.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re