Skip to content

Balla: Prodhimi vendas i grurit do të shitet me çmim më të lartë

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, njëherësh drejtuesi politik i PS-së në qarkun e Fierit, Taulant Balla nxiti tregtarët e mëdhenj të blejnë grurin vendas, ndërsa shtoi se çmimi i shitjes së grurit këtë vit është dyfishuar krahasuar me vitin e kaluar.

 

Në një prononcim për medie nga “Festa e grurit” në Fier, Balla u shpreh se sfidë për vitet në vijim është rritja e kapaciteteve të grumbullimit.

 

Sipas tij, “bujqit nuk kanë hapësirat ku të akumulojnë prodhimin e tyre dhe pastaj të presin kohën që ta shesin me një çmim të mirë dhe shpesh herë abuzimi vjen për shkak të pamundësisë për të grumbulluar dhe fermeri detyrohet ta shesë sasinë e prodhuar menjëherë”.

 

 

“Kemi diskutuar edhe me kryepleqtë e fshatrave apo shoqatat e bujqve për t’i nxitur që ata të jenë më të bashkuar me njëri-tjetrin në marrëdhënien e tyre me grosistët. Sot kam pasur kontakt me një pjesë të madhe të atyre që janë tregtarët më të mëdhenj. Këtë vit çmimi i shitjes së grurit do të jetë mbi 50 lekë, që do të thotë që është një çmim dyfish më i lartë se viti i kaluar”, tha Balla.

 

Ai shprehu bindjen se gjithë prodhimi vendas jo vetëm do të shitet, por do të shitet me një çmim më të lartë.

 

Balla ftoi të gjithë fermerët të bëhen bashkë dhe të mos bien pre e abuzimeve të grosistëve.

 

“Prej 30 vitesh jemi në ekonomi tregu dhe çmimi në ekonomi tregu është një ekuacion mes kërkesës dhe ofertës, por në kushtet që në tregun global ka një rritje shumë të madhe të drithërave besoj se në këtë çmim asnjë prej fermerëve nuk do të jetë me humbje. Në rast se vjet është shitur me 26 lekë, sot është me 50 lekë. Kjo është për shkak të situatës globale të shitjes dhe çmimit të drithërave. Ajo që biem të gjithë dakord është që ky është një vit shumë i mbarë dhe natyrshëm ka një prodhim më të lartë, por cilësia e grurit vendas është shumë e lartë dhe të gjithë e kërkojnë. Besoj se do të tërhiqet e gjithë sasia”, tha ai.

 

I pyetur mbi reformën territoriale, Balla tha se “ajo është bërë në vitin 2014 dhe kemi bërë një ndryshim thelbësor me reduktimin në 61 bashki”.

 

“Në çdo vend, këto lloj ndryshimesh duhet të kalojnë më shumë kohë për t’u riparë. Mendimi im personal është që ndoshta më pak bashki do të ishte më mirë për të fuqizuar bashkitë, por thelbi i çdo reforme duhet të jenë shërbimet më të mira për qytetarët. Komisioni i posaçëm i reformës pikësynim ka përmirësimin e shërbimeve në çdo cep të territorit. Objektivi ynë për reformën territoriale është përmirësimi i shërbimeve të qytetarëve”, u shpreh Balla.

 

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë