Ende pa nisur zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, mazhoranca dhe opozita kanë divergjenca se si e lexojnë Kushtetutën e vendit për formimin e qeverisë së re.

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi një ditë më parë deklaroi për Euronews Albania se të drejtën për të propozuar kryeministrin e merr koalicioni që garanton 71 mandate.

Por, Sekretari i Përgjithshëm i PS-së Taulant Balla nuk është i këtij mendimi. Ai mori shembullin e Kosovës për ta ilustruar konkretisht dhe tha se bashkimi PD-LSI pas zgjedhje nuk cilësohet koalicion në terma kushtetues.

“Me ndryshimet kushtetuese të viti 2020 është e qartë që në rast se do të bësh një koalicion të përbashkët duhet që të përfshihesh në një listë në çdo rast tjera nuk konceptohet si një koalicion.

Marrëveshje që janë jashtë kuadrit kushtetuese mund të bëjë kushdo. Rasti I Kosovës është një rast i mirëfilltë që është sanksionuar dhe me vendim të Gjykatës Kushtetuese, kush është autoriteti dhe kush është I pari që merr të drejtën”, u shpreh z. Balla.

Pavarësisht këtij arsyetimi, Sekretari i PS tha se kur të mblidhet parlamenti i ri më 9 shtator 2021, PS do të ketë 71 mandate dhe më shumë për të formuar qeverinë dhe nuk do të ketë probleme për interpretimin e Kushtetutës.

Kushtetuta e Shqipërisë në  nenin 96 të saj parashikon që për kryeministrin e propozon partia ose koalicioni i partive që kanë shumicën në  Kuvend.

“Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend”, thuhet në pikën 1 të nenit 96.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re