Ministri i Brendshëm, gjatë takimit me strukturat drejtuese të Policisë së Durrësit, u ndal tek problematikat e komunikimit me qytetarët.

Balla kërkoi që kryesisht punonjësit e Qarkullimit Rrugor të kenë etikë dhe ndëshkimi të mos jetë qëllim në punën e tyre.

“Policia Rrugore nuk është gjahtare shkelësish. Nëse një drejtues automjeti nuk ka të vendosur rripin apo përdor telefonin e lëvizshëm gjatë drejtimit, përpara se t’i kërkoni dokumentet, është detyrim të përshëndeteni me qytetarin, pyteni çfarë halli ka që e shtyjnë të shkelë rregullat e qarkullimit rrugor, duke rrezikuar veten e të tjerët. Pra ajo që për ne ka rëndësi është siguria rrugore, është edukimi apo ndërgjegjësimi. Nuk është gjoba, qëllimi. Asnjë rast nuk është njësoj me tjetrin. Nuk më interesojnë “sukseset” e gjobave, por bindja e përgjithshme e qytetarëve se duhen zbatuar rregullat, jo pse është një punonjës i policisë rrugore pas kthesës, por sepse kështu mbrojmë jetë njerëzore”, tha Balla.

Durrësi është qyteti me flukset më të larta të pushuesve vendas e të huaj, e për këtë Policia e Shtetit në koordinim me strukturat e tjera shtetërore kanë përgjegjësi kyçe për sigurinë në vijën bregdetare.

Lufta kundër kultivimit të narkotikëve mbetet një tjetër prioritet, theksoi ministri Balla nga Durrësi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re