Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka zhvilluar një takim ne strukturat e Policisë së Shtetit, ku u shpreh se po goditet çdo veprimtari e paligjshme dhe kriminale me të gjithë forcë e ligjit.

Balla tha se me operacionin kombëtar “Tempulli” u dha goditja e parë e madhe.

“Kemi arritur të japim goditjen e parë të madhe, edhe pse është një punë që është zhvilluar muaj pas muaji, vit pas viti, por e vërteta është që operacioni kombëtar “Tempulli” është një prej atyre goditjeve që bën krenar secilin prej anëtarëve të organizatës së Policisë së Shtetit.

Gjej rastin të falenderoj sot jo vetëm strukturat e Policisë së Shtetit, por edhe prokurorët dhe gjyqtarët të cilët bashkëpunuan me Policinë e Shtetit gjatë këtij operacioni, i cili vazhdon.

Besoj se Policia e Shtetit ka marrë vlerësim tejet pozitiv nga publiku për këtë goditje. Ky është një tregues domethënës për seriozitetin dhe angazhimin e Policisë së Shtetit kundër çdo veprimtarie të paligjshme. Ky operacion ka shënuar një prej momenteve me të suksesshme të punës hetimore të strukturave të policisë”, tha ministri Balla.

Ai ka nënvizuar rëndësinë e krijimit të një perimetri sigurie përreth shkollave si dhe ka deklaruar se policia do të veprojë ndaj çdo lloj veprimtarie antiligjore dhe kriminale.

“E ndërsa bëhet pak më shumë se një javë nga fillimi i vitit shkollor, ku prezantuam Paketën e Sigurisë në shkolla, e cila ka në themelin e vet krijimin e një perimetri sigurie përreth shkollave, policia po godet ashpër me të gjithë forcën e ligjit, çdo lloj veprimtarie antiligjore dhe kriminale”, tha ai.

Ballla shtoi se duhet më shumë punë për të identifikuar personat në kërkim duke theksuar se do të ketë bashkëpunim me Europolin dhe Interpolin.

“Kemi tashmë një listë prioritetesh ose siç i themi ‘më të kërkuarit’, për të cilët mezi pres që ajo listë të çmontohet një e nga një duke bashkëvepruar këtu jo vetëm brenda për brenda hapësirës sonë me të gjitha organet e tjera ligjzbatuese, por do të rrisim bashkëpunimin me Europolin dhe me Interpolin. Shumë shpejt do të jemi në selinë qendrore të Interpolit, pikërisht për të hapur një kapitull të ri dhe për të identifikuar të gjithë të kërkuarit shqiptarë nëpër botë. Dhe po ashtu besoj se jeni informuar që ne do të organizojmë në Shqipëri për herë të parë edhe Konferencën Europiane të Interpolit dhe kjo vjen edhe si një vlerësim për punën dhe arritjet e Policisë së Shtetit Shqiptar”, përfundoi ministri.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re