Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla në një daljë për mediat i ka bërë thirrje opozitës që të pranojnë të ulen të dyja Grupet Parlamentare dhe të miratojnë ndryshimet e nevojshme ligjore në kuadër të Reformës në Drejtësi.

Balla në fjalën e tij ka theksuar se në Kuvendin e Shqipërisë po punohet për një paketë ndryshimesh në disa ligje që janë pjesë e paketës së Reformës në Drejtësi.

“Prej disa muajsh në Kuvendin e Shqipërisë po punohet për një paketë ndryshimesh në disa ligje që janë pjesë e paketës së Reformës në Drejtësi që lidhen me disa përmirësime ose rregullime. Shpresoj e besoj që ne si shumicë të kemi mundësi të ulemi me opozitën për të diskutuar si dhe të mos vonohemi dhe të shkojmë t’i votojmë për sa kohë që shumica e ligjeve në këtë paketë kërkojnë shumicë të cilësuar me 3/5 e votave”.

Balla gjithashtu ka nënvizuar se edhe Kuvendi do të ndërhyjë për të përmirësuar kuadrin ligjor, si dhe theksoi se kush e jep votën për diçka të mirë, për diçka të Shqipërisë nuk quhet tradhëti.

 

“Të gjithë mendojnë që janë çështje të cilat duhen bërë dhe Kuvendi i Shqipërisë duhet të ndërhyjë për t`i përmirësuar kuadrin ligjor dhe unë e kuptoj që meraku juaj është që çdo votë që mund të japë opozita për një çështje të caktuar të interpretohet si tradhëti e brendshme brenda idealeve të ashtëquajtura të opozitës. Unë mendoj që kush e jep votën për diçka të mirë, për diçka të Shqipërisë nuk është tradhti, por është kontribut për Shqipërinë Europiane”.

 

Balla foli edhe për Avokatin e Popullit, ku ka theksuar se është shumë e rëndësishme që Avokati i Popullit të mos jetë një figurë aktive në jetën politike.

 

“Ne na duhet një Avokat Populli siç na e përcakton Kushtetuta, një Avokat Populli i cili duhet të jetë i paanshëm politikisht. Arsyeja se përse kemi refuzuar një kandidaturë e cila ngeli si kandidatura e vetme në procesin e fundit të zhvilluar në këtë çështje në Kuvendin e Shqipërisë, ishte qartazi sepse ne nuk mund të votonim Avokatin e Partisë Demokratike si Avokatin e Popullit. Përsa kohë që kemi zgjedhur këtë standard në procesin e zhvilluar deri më tani dhe mendoj që në këtë parim duhet ta ruajmë. Ne duhet që t`i japim vendit një Avokat Populli i cili të jetë një personalitet në fushën që mbulon një Avokat Populli dhe të mos jetë aktiv në jetën politike”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re