Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka folur në lidhje me situatën në Kosovë, tensionet me Serbinë dhe marrëdhëniet e saj me ndërkombëtarët.

I ftuar në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë, Meta tha se Kosova ka çështje më të rëndësishme se Dinari dhe nëse ndërkombëtarët janë befasuar nga kjo lëvizje e Qeverisë së Kosovës, atëherë sipas tij kjo nuk është një gjë e mirë.

“Besoj se reagimi i para pak ditësh i presidentes Osmani për çështjen e dinarit është i rëndësishëm edhe si kryetare e shtetit për të garantuar një mbarëvajtje të proceseve. Ajo që do të them është se nëse ndërkombëtarët janë të befasuar, kjo nuk është gjë e mirë. Nuk është një gjë e mirë për arsye se Kosova ka çështje më të rëndësishme sesa kjo çështje që është shfaqur dhe që unë besoj se do të menaxhohet me përgjegjshmëri dhe me pjekuri”, tha Meta.

Ai thekson se Kosova tashmë ka një avantazh kundrejtë Serbisë, pas ngjarjeve të fundit në Banjskë, për të cilat tha se ishin kriminale dhe të nxitura nga shteti serb, ndaj edhe nuk duhet t’i jepet shumë vëmendje çështjes si ajo e dinarit.

“Kosova ka pasë një avantazh të jashtëzakonshëm pas ngjarjeve të padëshiruara të dhunshme dhe kriminale të nxitura nga Serbia përpara disa muajsh. E  gjithë bota e kuptoi se kush e ka patur përgjegjësinë për vite të tëra për këtë tensionim të qëllimshëm në veri të Kosovës dhe për këto raporte jofunksionale midis Kosovës dhe Serbisë. Dhe nuk është mirë për çështje të tjera, që unë do t’i vlerësoja të karakterit sekondar apo tercial të krijohet një situatë që merr kaq shumë vëmendje”, tha ai.

Më tej, Meta tha se Serbia në procesin e dialogut me Kosovën është përpjekur në vazhdimësi t’i kalojë detyrimet e saj. Madje theksoi se Serbia po mundohet që çështjen e Asociacionit ta shkëpus nga detyrimet.

“Kosova ka paraqitur vullnetin e saj për marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit. Serbia është përpjekur t’i kalojë detyrimet e saj dhe dhe të përqëndrohet thjeshtë në çështje që i interesojnë dhe të evitojë marrjen e përgjegjësive dhe detyrimeve të saj. Unë mendoj që këtu duhet mbajtur fokusi dhe jo të krijohen çështje të tjera. Ajo që kuptohet është që Serbia po përpiqet të shkëpusë çështjen e Asociacionit nga detyrimet e tjera që i takojnë Serbisë për të përmbushur një marrëveshje të plotë”, shtoi Meta

Meta ndër të tjera ka folur edhe për  “Ballkanin e Hapur”, për të cilin shprehet se ka qenë përpjekje për të fuqizuar dominimin e Serbisë në Rajon, e po ashtu për ta paraqitur Kosovën si shtet defunksional dhe destruktiv ndaj iniciativave të tilla.

“Në fund të fundit Ballkani i Hapur ishte thjeshtë një përpjekje jo vetëm për t’i dhënë një lidership të pamerituar Serbisë dhe Vuçiqit, pasi Ballkani i Hapur ishte një përpjekje për të fuqizuar dominimin e Serbisë në rajon. Nuk ishte një marrëdhënie partneriteti, aspak transparente bazuar në akte, mbi dokumente, mbi vlera, standarde siç është për shembull procesi i Berlinit. Njëkohësisht Ballkani i hapur në gjithë mënyrën si u konceptua ishte një provokim, një përpjekje për të vendosur në cep shtetin e Kosovës dhe për ta bërë atë që të ishte defunksional ose për t’u paraqitur sa më destruktiv ndaj iniciativave të tilla”, tha Meta në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re